Spitali i Përgjithshëm në Pejë përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë me dije se tashmë kanë filluar ofrimin e një shërbimi të ri për të gjitha foshnjat e porsalindura – Skriningun Neonatal.
Ky test shërben për të zbuluar herët disa sëmundje të rralla, të cilat në fillim mund të mos japin asnjë shenjë, por që mund të shkaktojnë probleme serioze në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijës nëse nuk zbulohen dhe trajtohen me kohë.
Përmes këtij programi bëhet kontrolli për pesë sëmundje:
• Hipotiroidizmi kongjenital (mungesë e hormonit të tiroides që nga lindja)
• Fenilketonuria (sëmundje e trashëguar që pengon përpunimin e disa proteinave në ushqim)
• Fibroza cistike (sëmundje që prek mushkëritë dhe sistemin tretës)
• Galaktozemia (paaftësi e organizmit për të përpunuar sheqerin që gjendet në qumësht)
• Atrofia muskulore spinale – SMA (dobësim progresiv i muskujve)
Ky shërbim i ri është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kujdesit ndaj të porsalindurve në rajonin e Pejës. Zbulimi i hershëm i këtyre sëmundjeve u mundëson mjekëve të fillojnë trajtimin në kohë dhe të parandalojnë komplikime që mund të ndikojnë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së fëmijës.
Me fillimin e skriningut neonatal, Spitali i Përgjithshëm në Pejë po ofron një standard më të avancuar të kujdesit shëndetësor për foshnjat dhe familjet e tyre që nga ditët e para të jetës.













