Hën, Maj 18, 2026
Banner Top
Banner Top
Sa kohë zgjatë mbajtja e protezave të dhëmbëve?

Ortodontja Ulpiana Ahmeti Bujupi ka qenë e ftuar në emisionin “Familja Jonë”, ku ka folur për trajtimet e hershme ortodontike dhe rëndësinë e tyre në parandalimin dhe korrigjimin e problemeve të nofullave dhe dhëmbëve në faza të hershme të zhvillimit.

Gjatë intervistës, ajo është ndalur edhe te kohëzgjatja e trajtimeve ortodontike, duke theksuar se nuk ekziston një afat i njëjtë për të gjithë pacientët, por se gjithçka varet nga kompleksiteti i rastit dhe nevojat individuale të secilit pacient.

“Zakonisht varet nga kompleksiteti i rastit, mirëpo në përgjithësi trajtimi ortodontik konsiderohet 18 muaj deri në 24 muaj”, thotë ajo.

Megjithatë, ajo ka sqaruar se ka raste kur trajtimi mund të zgjasë më pak, por edhe raste më të komplikuara që kërkojnë një periudhë më të gjatë trajtimi.

“Ekzistojnë edhe raste më pak problematike që zgjasin më pak, por sigurisht edhe raste më komplekse të cilat zgjasin edhe më shumë”, shpjegon ortodontja.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e diskutimit ka qenë edhe mosha e pacientëve dhe mundësia e vendosjes së aparateve ortodontike. Sipas Ahmeti Bujupit, aparatet fikse dhe ato transparente nuk kanë kufizim moshe dhe mund të përdoren edhe tek pacientët e rritur. Megjithatë, ajo ka theksuar se rezultatet dhe reagimi i trajtimit ndryshojnë në varësi të moshës dhe fazës së zhvillimit.

“Rezultatet konsiderohen më stabile nëse janë pacientët më të rritur, ndërsa nuk ka ndonjë limit kohor. Ndërsa aparatet që përdoren për një trajtim të hershëm ortodontik, të cilët ndikojnë në balancimin e nofullave të sipërme dhe të poshtme, ato sigurisht aplikohen në fazën e rritjes”, thotë ajo.

Shpjegimin e plotë të ortodontes lidhur me këtë temë mund ta gjeni në videon e mëposhtme.

Ndërsa intervistën e plotë, ku ortodontja Ulpiana Ahmeti Bujupi ka folur në emisionin “Familja Jonë” për trajtimet e hershme ortodontike, mund ta ndiqni më poshtë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë