Enj, Pri 23, 2026
Banner Top
Banner Top
Falë kirurgjisë moderne në Spitalin Rezonanca 2, pacientja shpëton pas dekadash komplikimesh

Spitali i Përgjithshëm Rezonanca 2 ka njoftuar për një ndërhyrje të suksesshme kirurgjikale, ku një paciente në moshë të rritur është shpëtuar pas dekadash komplikimesh e cila ka kaluar një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë shëndetësor që nisi që në fëmijëri.

Në njoftimin e tyre, Spitali i Përgjithshëm Rezonanca 2 ka shpjeguar se kur kjo paciente kishte qenë në moshën 10-vjeçare, kishte pësuar një lëndim të rëndë nga arma e zjarrit, me dëmtim të lukthit dhe venës kava – një nga enët kryesore të gjakut në organizëm.

“Në atë kohë iu nënshtrua një operacioni emergjent (laparotomi), ku u realizua ndalja e gjakderdhjes përmes qepjes së venës kava, riparimi i lukthit dhe vendosja e një bypass-i të tipit Omega në pjesën antrale të tij.” tregon spitali.

Vitet që pasuan sollën ndërhyrje të tjera kirurgjikale. Para 16 vitesh, pacientja iu nënshtrua heqjes së tëmthit dhe apendiksit, gjithashtu me metodë të hapur.

Megjithatë, sfidat nuk përfunduan aty pasi prej më shumë se dy vitesh e gjysmë kjo paciente vuante nga dhimbje të vazhdueshme në pjesën e sipërme të barkut. Për këtë arsye kishte kërkuar ndihmë nga mbi 10 mjekë të ndryshëm, brenda dhe jashtë Kosovës, përfshirë edhe në Maqedoni, pa arritur një diagnozë përfundimtare.

Sipas sitalit, gjendja e saj u përkeqësua ndjeshëm muajt e fundit, kur pacientja përjetoi tri episode të rënda të shokut hemorragjik, të shoqëruara me vjellje gjaku dhe jashtëqitje me gjak. Ajo mori disa transfuzione gjaku për stabilizim.

“Zgjidhja erdhi pas kontaktit me Dr. Besnik Ismajli, Gastroenterolog i specializuar ne Gjermani, ku u realizua një gastroskopi diagnostike. Ekzaminimi zbuloi shkaktarin kryesor: një ulçerë në vendin e anastomozës Omega, ndërmjet lukthit dhe zorrës së hollë. Ulçerë kronike e cila nuk shërohej me metoda konservative (me Medikamente) të cilat Pacientja i merrte për një kohë të gjatë.” thuhet në shpjegimin e spitalit i cili ka bërë të ditur se duke marrë parasysh rrezikun e përsëritjes së gjakderdhjes dhe mundësinë e transformimit malinj, pas analizave të detajuara imazherike dhe histologjike, u vendos për ndërhyrje kirurgjikale.

Operacioni u realizua me metodë minimale invazive – laparoskopi – përmes prerjeve të vogla nga Dr. Fatmir Imeraj dhe Dr. Shkodran Krasniqi kirurgë të specializuar poashtu ne Gejrmani, Anestezioni u realizua nga Dr. Shkelzen Muriqi ne Spitalin Rezonanca 2. Gjatë ndërhyrjes u liruan ngjitje (adezione) masive në të gjithë abdomenin, që përfshinin zorrën e hollë, zorrën e trashë, lukthin dhe mëlçinë me murin abdominal.

Më tej, u krye heqja e anastomozës së vjetër së bashku me ulçerën, përmes një reseksioni të tipit “wedge” të lukthit. Po ashtu, u resektua segmenti i prekur i zorrës së hollë dhe u rikthye lidhja normale e saj, duke rivendosur anatomine fiziologjike të traktit tretës.

“Ecuria pas operacionit ishte shumë e mirë. Nuk pati komplikime, drenazha u hoq që në ditën e parë, pacientja filloi ushqimin fillimisht me lëngje dhe më pas kaloi në ushqim të zakonshëm. Plagët e vogla u shëruan shpejt, ndërsa ajo u mobilizua plotësisht brenda repartit. Analizat laboratorike rezultuan brenda vlerave të pritshme.” ka njoftuar Rezonanca 2.

Në ditën e katërt pas operacionit, pacientja u lirua në gjendje të mirë shëndetësore kurse rezultati përfundimtar histologjik konfirmoi se ulçera e hequr, me përmasa rreth 2 cm, ishte larguar në tërësi.

“Ky rast përfaqëson një shembull të qartë se si diagnostikimi i saktë dhe ndërhyrja e avancuar kirurgjikale mund të ndryshojnë rrjedhën e jetës së pacientëve, edhe pas shumë vitesh vuajtjesh dhe pasigurie. Falenderojme Pacienten për besimin e dhënë.” ka përmbylur spitali.

Youtube

Arkiva

Kategoritë