Cikli menstrual është një nga treguesit më të rëndësishëm të shëndetit riprodhues te gratë, por shpesh shoqërohet me paqartësi, mite dhe shqetësime të ndryshme.
Çfarë është vërtet “normale” dhe kur duhet të shqetësohemi? Pse cikli ndonjëherë ndryshon dhe cilët faktorë ndikojnë në të?
Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të sqaruar dilemat më të shpeshta që kanë vajzat dhe gratë, kemi realizuar një intervistë me Dr. Drita Kabashi.
Në këtë intervistë, ajo shpjegon në mënyrë të qartë dhe profesionale se si funksionon cikli menstrual, cilat janë variacionet normale dhe cilat shenja nuk duhen neglizhuar.
1. Çfarë konsiderohet një cikël menstrual normal dhe sa duhet të zgjasë zakonisht?
1. Një cikël menstrual normal konsiderohet ai që është relativisht i rregullt dhe pa simptoma të rënda që pengojnë jetën e përditshme Zgjatja normale e ciklit: 21–35 ditë numërohet nga dita e parë e menstruacioneve deri në ditën e parë të menstruacioneve të ardhshme.
2. A është normale që cikli të mos jetë gjithmonë i rregullt?
2. Po, është normale që cikli menstrual të mos jetë gjithmonë plotësisht i rregullt, sidomos në disa periudha të jetës. Vitet e para pas menstruacionit të parë – hormonet ende po stabilizohen. Stresi, lodhja, ndryshimet emocionale,ndryshime në peshë (humbje ose shtim i shpejtë),aktiviteti fizik shumë intensiv, udhëtime ose ndryshim i orarit të gjumit,sëmundje të përkohshme. Në këto raste, cikli mund të ndryshojë disa ditë nga muaji në muaj dhe kjo zakonisht nuk është shqetësuese.
3. A janë dhimbjet gjatë menstruacioneve gjithmonë normale?
3. Dhimbjet gjatë menstruacioneve janë normale nëse janë të lehta ose mesatare Kur nuk janë normale? Dhimbjet janë shumë të forta dhe nuk qetësohen me qetësues të zakonshëm.Të pengojnë të kryesh aktivitetet e përditshme.Përkeqësohen me kalimin e kohës.Shoqërohen me gjakderdhje shumë të madhe, temperaturë ose dhimbje jashtë ciklit.Këto mund të lidhen me probleme si endometrioza, infeksione ose çrregullime hormonale.
4. A ndikojnë stresi dhe lodhja në ciklin menstrual?
4. Stresi dhe lodhja ndikojnë në ciklin menstrual: mund ta vonojnë, ta përshpejtojnë, të shtojnë dhimbjet ose të ndryshojnë sasinë e gjakderdhjes.
5. A ndryshon cikli menstrual me moshën?
5. Po, cikli menstrual ndryshon me moshën, dhe kjo është normale. Adoleshenca: cikli shpesh është i parregullt, sepse hormonet ende nuk janë stabilizuar.Mosha riprodhuese (20–40 vjeç): cikli zakonisht bëhet më i rregullt. Pas të 40-ave / peri-menopauza: cikli fillon të ndryshojë sërish (vonesa, afrime, ose mungesa të menstruacioneve), deri sa të ndalet në menopauzë.
6. Kur është e nevojshme të vizitohet gjinekologu për problemet me ciklin?
6. Duhet patjetër kontroll nëse:
– Cikli vjen më shpesh se çdo 21 ditë ose më rrallë se çdo 35–40 ditë, rregullisht
– Mungojnë menstruacionet për 3 muaj rresht (pa shtatzëni).
-Menstruacionet zgjasin më shumë se 7–8 ditë.
– Ke gjakderdhje shumë të fortë (ndërron pecetën çdo 1–2 orë).
-Ke dhimbje shumë të forta që nuk qetësohen me ilaçe të zakonshme.
– Ka gjakderdhje jashtë ciklit ose pas marrëdhënieve seksuale.
– Cikli është bërë papritur shumë i parregullt.
– Shoqërohet me shenja hormonale (akne të rënda, qime të shtuara, shtim të peshës).
Gjithashtu rekomandohet kontroll gjinekologjik 1 herë në vit, edhe pa simptoma.Vizitë më e hershme nëse je seksualisht aktive ose po planifikon shtatzëni.












