Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj mungesës së mediave në ndeshjen e fundit të Kombëtares në konkurrencën e vajzave.
Përmes këtij reagimi, FFK-ja e ka cilësuar këtë fenomen si shqetësues dhe si mungesë përgjegjësie.
“Mbrëmë, në ndeshjen Kosovë – Bullgari në konkurrencën e vajzave, ndodhi diçka që nuk mund të kalojë pa u thënë. Tribuna e mediave ishte bosh. Jo pjesërisht, por tërësisht. Asnjë gazetar sportiv nuk e pa të arsyeshme të ishte aty, për ta ndjekur nga afër një ekip që prej kohësh po jep maksimumin dhe po përfaqëson shtetin me dinjitet.” ka shkruar FFK-ja në reagimin e publikuar më 19 prill.
Sipas kësaj Federate, kur zbret në fushë Kombëtarja A e meshkujve, situata në këtë stadium, është krejt tjetër.
“Kjo nuk është vetëm mungesë prezence. Është mungesë përgjegjësie. Sepse, në të njëjtin stadium, kur zbret në fushë Kombëtarja A e meshkujve, situata është krejt tjetër. Zona e mediave mbushet përtej kapaciteteve. Kërkesat për akreditim tejkalojnë limitet dhe Federata bën çdo përpjekje për të akomoduar gazetarët jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Ka interes, ka zhurmë, ka kritika e ka “garë” për të qenë pjesë e asaj ngjarjeje.” thotë kjo federatë.
Sipas reagimit, këto veprime dëshmojnë se është koha për reflektim jo vetëm nga mediat por nga të gjithë.
“Ky kontrast i thellë nuk mund të arsyetohet me asgjë. Nuk është çështje rezultatesh, sepse vajzat tona po dëshmojnë cilësi dhe karakter. Nuk është çështje rëndësie, sepse ato përfaqësojnë të njëjtin flamur dhe janë pjesë e kualifikimeve të Botërorit. Është thjesht një pasqyrë e një mendësie që ende nuk ka arritur të kuptojë vlerën e barabartë të sportit, pavarësisht gjinisë.” thuhet në reagim.
Tutje, Federata e Futbollit të Kosovës ka përmbyllur këtë reagim duke bërë thirrje që përfaqësimi i Kosovës të mos trajtohet me standarde të dyfishta.
“Përfaqësimi i Kosovës nuk ka kategori të dorës së parë dhe të dytë. Heroinat tona dardane meritojnë vëmendje, mbështetje dhe kurajë për suksese të reja.” ka përmbyllur kjo federatë.













