Më 14 prill shënohet Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, një datë e dedikuar kujtesës kolektive dhe solidarizimit me të mbijetuarit.
Me këtë rast, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe përfaqësues të organizatave, kanë bërë homazhe pranë Memorialit “Heroinat” në Prishtinë.


Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, në orën 10:00 u mbajt një konferencë rajonale me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”, ku u diskutua për sfidat dhe nevojat në sigurimin e drejtësisë për viktimat.
Ndërkohë, në orën 17:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahet ceremonia qendrore për shënimin e kësaj dite memoriale.
Dita e 14 prillit është caktuar si Ditë Memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë me qëllim ruajtjen e kujtesës kolektive dhe rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror, si dhe për të theksuar nevojën për mbështetje dhe solidaritet të vazhdueshëm ndaj të mbijetuarve.













