Pre, Pri 10, 2026
Banner Top
Banner Top

Shkurtesa “OK” sot është një nga fjalët më të njohura në botë, por origjina e saj është çuditërisht e pazakontë–dhe mjaft mirë e dokumentuar.

“OK” shfaqet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të viteve 1830, në një kohë kur midis të rinjve dhe gazetarëve ishte popullore një lloj shakaje gjuhësore–shkrimi i gabuar i fjalëve me qëllim dhe krijimi i shkurtesave.

Në këtë kontekst lindi shprehja “oll korrect”, një version humoristik dhe qëllimisht i gabuar i shprehjes “all correct” (që do të thotë “gjithçka në rregull”). Nga kjo frazë u nxor shkurtesa O.K.

Shënimi më i vjetër i njohur i “OK” daton më 23 mars 1839, kur u botua në gazetën e Bostonit, Boston Morning Post. Në tekst, ajo u përdor pikërisht si shkurtesë për “oll korrect”. Kjo konsiderohet si shfaqja e parë zyrtare e shprehjes në formë të shkruar.

Si u bë “OK” globale

Edhe pse në fillim ishte vetëm një trend gjuhësor afatshkurtër, “OK” mori shpejt një hov të madh falë politikës.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 1840, mbështetësit e presidentit amerikan Martin Van Buren përdorën slloganin “Old Kinderhook” (sipas vendlindjes së tij, Kinderhook në shtetin e Nju Jorkut), i cili gjithashtu shkurtohej në “OK”. Me këtë, shkurtesa u popullarizua dhe u rrënjos edhe më shumë në publik.

A ekzistojnë teori të tjera?

Përgjatë kohës kanë lindur teori të ndryshme alternative-se “OK” vjen nga greqishtja, skocishtja, madje edhe nga gjuhët e Afrikës Perëndimore. Megjithatë, gjuhëtarët sot kryesisht mendojnë se teoria mbi “oll korrect” është shpjegimi më i saktë dhe më i dokumentuar.

Pse mbijetoi “OK”?

Për dallim nga shakatë e tjera të ngjashme të asaj kohe që u zhdukën, “OK” ishte e shkurtër, e thjeshtë dhe lehtësisht e kuptueshme. Pikërisht ky prakticitet e ndihmoi atë të mbijetonte dhe të bëhej një fjalë universale që sot do të thotë “në rregull”, “u rregullua” ose “kuptova”–në pothuajse të gjitha gjuhët e botës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë