Enj, Pri 2, 2026
Banner Top
Banner Top
Dr. Bashkim Hasani, specialisti i vetëm i nefrologjisë, kujdeset për 85 pacientë të dializës në Spitalin e Mitrovicës

Dr. Bashkim Hasani është specialisti i vetëm i nefrologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Si nefrolog, ai kujdeset për shëndetin e veshkave të pacientëve dhe shërben në Shërbimin e Dializës.

​Si i vetmi specialist nefrolog në rajon, me një përvojë mbi dydekadëshe, ai udhëheq me sukses një nga repartet më vitale të institucionit tonë, me gjithsej 85 pacientë.

​I lindur në fshatin Ceceli të Vushtrrisë dhe i formuar profesionalisht në Universitetin e Prishtinës, Dr. Hasani përfundoi studimet në Mjekësi të Përgjithshme në vitin 2003.

Rrugëtimi i tij drejt specializimit ishte i gjatë dhe sfidues. Katër vite specializim në Mjekësi Interne dhe dy vite subspecializim në Nefrologji, të realizuara mes Prishtinës dhe Tiranës, duke u certifikuar si subspecialist në vitin 2014.

​Që nga viti 2013, kur Dr. Bashkimi mori udhëheqjen e repartit të Hemodializës, shërbimet mjekësore për pacientët e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skënderajt kanë njohur një kthesë rrënjësore.

Falë ekspertizës së tij, për herë të parë në spitalin tonë u mundësuan, vendosja, ndërrimi dhe heqja e Katetereve Venoze Qendrore (KVQ), procedurë kjo që dikur i detyronte pacientët të udhëtonin drejt QKUK-së, ndërsa sot kryhet me sukses brenda repartit të spitalit.

​Ai përdor vazhdimisht ultratingullin (EHO) në repart për monitorimin e saktë të pacientëve.

​Sot, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Dr. Bashkimit dhe ekipit të tij, 85 pacientë marrin trajtimin jetëshpëtues të dializës.

Ky shërbim ofrohet në objektin e ri dhe modern, ku Dr. Hasani, së bashku me kolegen interniste, Dr. Laura Nushi dhe stafin mbështetës, sigurojnë që çdo seancë të jetë në përputhje me standardet më të larta mjekësore.

​Dr. Hasani është pjesëmarrës i rregullt në simpoziume dhe kongrese evropiane të nefrologjisë, duke sjellë përvojat më të reja botërore te ne.

Ai është gjithashtu iniciatori i shënimit të Ditës Botërore të Veshkës në Mitrovicë për tri vite radhazi, duke promovuar parandalimin dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Youtube

Arkiva

Kategoritë