Dr. Bashkim Hasani është specialisti i vetëm i nefrologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Si nefrolog, ai kujdeset për shëndetin e veshkave të pacientëve dhe shërben në Shërbimin e Dializës.
Si i vetmi specialist nefrolog në rajon, me një përvojë mbi dydekadëshe, ai udhëheq me sukses një nga repartet më vitale të institucionit tonë, me gjithsej 85 pacientë.
I lindur në fshatin Ceceli të Vushtrrisë dhe i formuar profesionalisht në Universitetin e Prishtinës, Dr. Hasani përfundoi studimet në Mjekësi të Përgjithshme në vitin 2003.
Rrugëtimi i tij drejt specializimit ishte i gjatë dhe sfidues. Katër vite specializim në Mjekësi Interne dhe dy vite subspecializim në Nefrologji, të realizuara mes Prishtinës dhe Tiranës, duke u certifikuar si subspecialist në vitin 2014.
Që nga viti 2013, kur Dr. Bashkimi mori udhëheqjen e repartit të Hemodializës, shërbimet mjekësore për pacientët e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skënderajt kanë njohur një kthesë rrënjësore.
Falë ekspertizës së tij, për herë të parë në spitalin tonë u mundësuan, vendosja, ndërrimi dhe heqja e Katetereve Venoze Qendrore (KVQ), procedurë kjo që dikur i detyronte pacientët të udhëtonin drejt QKUK-së, ndërsa sot kryhet me sukses brenda repartit të spitalit.
Ai përdor vazhdimisht ultratingullin (EHO) në repart për monitorimin e saktë të pacientëve.
Sot, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Dr. Bashkimit dhe ekipit të tij, 85 pacientë marrin trajtimin jetëshpëtues të dializës.
Ky shërbim ofrohet në objektin e ri dhe modern, ku Dr. Hasani, së bashku me kolegen interniste, Dr. Laura Nushi dhe stafin mbështetës, sigurojnë që çdo seancë të jetë në përputhje me standardet më të larta mjekësore.
Dr. Hasani është pjesëmarrës i rregullt në simpoziume dhe kongrese evropiane të nefrologjisë, duke sjellë përvojat më të reja botërore te ne.
Ai është gjithashtu iniciatori i shënimit të Ditës Botërore të Veshkës në Mitrovicë për tri vite radhazi, duke promovuar parandalimin dhe ndërgjegjësimin qytetar.











