Në shënimin e 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, sot Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në partneritet me Ambasadën e Francës në Kosovë dhe Institutin Francez, përuruan “Këndin e Kurajës”.
“Këndi i Kurajës” që gjendet në Institutin Francez në Prishtinë është një hapësirë që pasqyron zërin dhe punën e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Kjo hapësirë i dedikohet të gjitha grave që thyen heshtjen, gjetën zërin e tyre dhe kërkuan drejtësi. Pjesë e këtij këndi janë punimet unike në qeramikë dhe qirinjtë dekorues, të krijuar me mjeshtëri nga duart e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.” ka thënë QKMRT-ja.

Sipas njoftimit, në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili vizitoi këndin dhe shprehu mbështetjen e tij për punën e të mbijetuarave duke përzgjedhur disa nga punimet e tyre.


QKMRT tutje ka bërë thirrje që qytetarët ta vizitojnë këtë hapësirë.
“Një falënderim i përzemërt për Embassy of France in Kosovo dhe Institut Français du Kosovo, që na hapën dyert dhe qëndruan pranë kësaj kauze kaq të rëndësishme për ne dhe për shoqërinë tonë. Ju ftojmë ta vizitoni dhe të mbështesni historitë e guximit të të mbijetuarve përmes blerjes së punimeve të tyre unike.” ka përmbyllur QKRMT-ja.















