Marrja e përditshme e suplementeve me kolagjen mund ta përmirësojë gjendjen e lëkurës duke rritur elasticitetin dhe hidratimin e saj, por sipas një rishikimi të ri shkencor, kolagjeni nuk do t’i ndalojë rrudhat, raporton BBC.
Ekspertët shqyrtuan provat e disponueshme dhe thonë se janë shumë të sigurt se pilulat ose pluhuri i kolagjenit sjellin disa përfitime reale për lëkurën nëse merren për një periudhë të gjatë, por nuk janë një zgjidhje e shpejtë.
Sipas rezultateve nga 113 studime ku morën pjesë pothuajse 8.000 njerëz, këto suplemente mund të ndihmojnë gjithashtu në lehtësimin e konsumimit të kyçeve, dhimbjes nga artriti dhe ngurtësisë së tyre.
Kolagjeni është një lloj proteine që prodhohet natyrshëm në trup, por sasia e tij zvogëlohet me kalimin e moshës. Ai ndihmon në mbështetjen dhe forcimin e lëkurës, thonjve, kockave dhe indeve lidhëse, përfshirë tendinat dhe kërcin.
Kolagjeni nuk është një zgjidhje për gjithçka
Që nga fillimi i moshës së rritur, trupi prodhon gjithnjë e më pak kolagjen dhe kolagjeni ekzistues shpërbëhet pak më shpejt.
Pirja e duhanit dhe dëmtimi nga dielli e përkeqësojnë këtë proces.
Rreth periudhës së menopauzës, kur gratë ndalojnë së pasuri menstruacione, lëkura humbet edhe më shumë kolagjen, rreth një të tretën, sipas studiuesve që kanë publikuar gjetjet e tyre në revistën shkencore Aesthetic Surgery Journal Open Forum.
Ekzistojnë disa lloje suplemente që njerëzit mund të marrin, përfshirë kolagjenin detar, kolagjenin nga gjedhët dhe kolagjenin vegan. Rishikimi nuk arriti të tregojë nëse disa lloje funksionojnë më mirë se të tjerët.
Studiuesit nga Anglia Ruskin University theksojnë se shumë nga studimet e bëra për suplementet janë financuar nga industria e suplementeve dhe se janë bërë pretendime të forta për përfitimet kundër plakjes së kolagjenit. Ky rishikim nuk është financuar nga industria.
Një nga studiuesit kryesorë, profesori Lee Smith, tha “Ky studim përmbledh provat më të forta deri më sot për suplementet e kolagjenit.
Kolagjeni nuk është një zgjidhje për gjithçka, por ka përfitime të besueshme kur përdoret vazhdimisht me kalimin e kohës, veçanërisht për lëkurën dhe osteoartritin. Gjetjet tona tregojnë përfitime të qarta në disa fusha të rëndësishme të plakjes së shëndetshme, duke rrëzuar njëkohësisht disa mite rreth përdorimit të tij.”
Sipas studiuesve, kolagjeni mund të shihet më shumë si një mënyrë për mirëmbajtjen e përgjithshme të lëkurës që plaket ose është dëmtuar nga dielli, dhe jo si trajtim kundër rrudhave.
Smith shtoi:
“Nëse e përkufizojmë kundër plakjen si një produkt ose teknikë që synon të parandalojë shenjat e plakjes, atëherë besoj se gjetjet tona e mbështesin pjesërisht këtë pretendim.
Për shembull, përmirësimi i tonit dhe lagështisë së lëkurës lidhet me një pamje më rinore.”
Ushqimi që ndihmon lëkurën
Bridget Benelam, shkencëtare e ushqimit në British Nutrition Foundation, tha se edhe ushqimi ka një rol të rëndësishëm për shëndetin e lëkurës.
“Vitamina C ndihmon në formimin e kolagjenit, prandaj është e rëndësishme të siguroheni që merrni mjaftueshëm nga ushqime si agrumet, manaferrat, perimet jeshile, specat dhe domatet. Zinku, që gjendet në mish, shpendë, djathë, disa fruta deti, arra, fara dhe drithëra të plota, gjithashtu ndihmon trupin të prodhojë kolagjen.
Burimet ushqimore të kolagjenit dhe shumë suplemente kolagjeni prodhohen nga produkte shtazore dhe për këtë arsye nuk janë të përshtatshme për dieta vegane. Megjithatë, trupi prodhon kolagjenin e vet nga aminoacidet që gjenden në proteinat e ushqimit. Prandaj proteinat nga burime si fasulet dhe thjerrëzat mund të sigurojnë aminoacidet e nevojshme për prodhimin e kolagjenit. Ekzistojnë gjithashtu edhe suplemente vegane.”
Tamara Griffiths, presidente e British Association of Dermatologists, e mirëpriti këtë hulumtim, por tha se nevojiten studime të tjera:
“Nevojiten të dhëna të mëtejshme nga studime dermatologjike të mirëstrukturuara dhe të fokusuara për të zhvilluar më tej premtimet që ngre ky rishikim sistematik.” /BBC/











