Shkruan: Krenare Hoti
Në ditët me mjegull të dendur, shumë qytetarë vërejnë vështirësi në frymëmarrje, kollë më të shpeshtë dhe ndjesi rëndese në gjoks.
Por sa i dëmshëm është realisht ajri në këto kushte dhe cilat kategori janë më të rrezikuara?
Për ta kuptuar më qartë ndikimin e mjegullës dhe ndotjes së ajrit në shëndet, portali FamiljaJonë zhvilloi një intervistë me Dr. Besim Morina, pulmolog, i cili ndau këshilla të rëndësishme për kujdesin respirator dhe parandalimin e komplikimeve.
I pyetur se sa i dëmshëm është ajri gjatë ditëve me mjegull të dendur, Dr. Morina tregoi se gjatë mjegullës, ndotja e ajrit rritet ndjeshëm. Ai tha se grimcat e imëta dhe gazrat toksikë depërtojnë thellë në mushkëri dhe mund të përkeqësojnë shëndetin respirator, sidomos te personat e ndjeshëm.
Tutje, pulmologu Morina u shpreh se grupet më të rrezikuara janë fëmijët, të moshuarit, personat me astmë, bronkit kronik, SPOK, sëmundje të zemrës, si dhe ata me sëmundje kanceroze.
Ndërsa sa i përket simptomave, Dr. Morina përmendi se kolla e vazhdueshme, vështirësia në frymëmarrje, shtrëngimi në gjoks, fishkëllima gjatë frymëmarrjes dhe lodhja e shpejtë janë simptomat kryesore që nuk duhet neglizhuar asnjë qytetarë.
Në anën tjetër, dëmtimet afatgjata si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm janë një ndër aspektet më të rëndësishme për të cilat duhet të jemi të informuar.
Pulmologu Morina u shpreh se ekspozimi i përsëritur mund të çojë në inflamacion kronik të rrugëve të frymëmarrjes dhe të përshpejtojë përkeqësimin e sëmundjeve pulmonare ekzistuese.
Në fund, Dr. Morina përrmendi edhe disa masa praktike që mund të marrin qytetarët që të mbrohen nga mjegulla.
“Të shmangin daljet e panevojshme, të përdorin maska mbrojtëse (FFP2/N95), të ajrosin ambientet kur ndotja bie dhe të ndjekin rregullisht terapinë, nëse kanë sëmundje kronike”, u shpreh Dr. Morina.












