Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit të veshkave, Kryeqyteti dhe Shoqata e Nefrologëve do të organizojnë një seri aktivitetesh më 13 mars.
Ky organizim do të përfshijë shpërndarjen e materialeve informuese, matje falas të shëndetit dhe një konferencë shkencore, të cilat do të ofrojnë mundësi për të mësuar më shumë rreth kujdesit për veshkat dhe për të marrë shërbime falas.
Këtë e ka bërë të ditur Kryeqyteti Prishtina përmes një postimi në facebook.
Postimi i plotë:
“Të dashur qytetarë,
Duke marrë parasysh rëndësinë e ndërgjegjësimit për sëmundjet e veshkave, Kryeqyteti dhe Shoqata e Nefrologëve, më datë 13 mars, organizojnë aktivitetet në vijim:
Vendosja e materialeve ndërgjegjësuese në stacionet/pritoret e autobuseve
Qarkullimi i një autobusi lokal të linjës “4”, i brenduar për të shënuar këtë ditë
Në Sheshin Skënderbeu, nga ora 09:00 – 12:00, do të vendoset një “tendë” ku Shoqata e Nefrologëve do të organizojë një fushatë 3-4 orëshe me matje të parametrave (sheqer dhe TA) dhe do të zhvillohen anketa të digitalizuara dhe manuale me qytetarët e pranishëm!
Konferencë shkencore nga ora 12:30 – 15:00, me ligjërata nga profesorët e ftuar nga Turqia.
Qëllimi i aktiviteteve është të rritet ndërgjegjësimi për rëndësinë e shëndetit të veshkave dhe të ofrohen mundësi për qytetarët për të bërë matje të shëndetit të tyre. Gjithashtu, synohet promovimi i bashkëpunimit me institucionet komunale shëndetësore dhe organizatat përkatëse për të mbështetur fushatat e ndërgjegjësimit.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin informacione dhe shërbime falas për shëndetin e tyre.”











