Një rrëzim aeroplani në rajonin bregdetar të Kwale në Kenia ka shkaktuar vdekjen e 11 personave, kryesisht turistë të huaj, të martën në mëngjes, ndërsa avioni ishte rrugës për në Rezervatin Kombëtar Maasai Mara, raporton CNN.
Kompania ajrore Mombasa Air Safari njoftoi se në bord ndodheshin tetë turistë hungarezë, dy gjermanë dhe piloti kenian, i cili gjithashtu humbi jetën. Sipas autoriteteve, avioni u rrëzua në një zonë kodrinore dhe të pyllëzuar, rreth 40 kilometra larg pistës së Diani-t.
Kompania nuk ka konfirmuar ende orën e saktë të nisjes së avionit, duke shtuar se piloti nuk komunikoi pas ngritjes, dhe se kulla e kontrollit u përpoq ta kontaktonte për rreth 30 minuta, derisa avioni u gjet.
Zyrtarët lokalë thanë se rrëzimi ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit me orën lokale, në një kohë kur në zonën bregdetare të Kenias kishte shi të dendur.
Avioni shpërtheu në flakë pas rënies, duke lënë mbetje të djegura në vendngjarje. Dëshmitarë okularë thanë për Associated Press se dëgjuan një shpërthim të fortë dhe kur arritën në vendngjarje panë mbetje njerëzore të paidentifikueshme.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kenias kishte njoftuar më herët se në avionin e tipit Cessna Caravan ndodheshin gjithsej 12 persona.
Rezervati Maasai Mara, i njohur për migrimin vjetor të kafshëve të egra nga Serengeti në Tanzani, ndodhet rreth dy orë fluturim nga qyteti bregdetar Diani, i famshëm për plazhet me rërë të bardhë.
Bregdeti kenian, me plazhet e tij të bukura përgjatë Oqeanit Indian, tërheq turistë nga e gjithë bota.
Sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) të vitit 2018, Kenia rezulton nën mesataren botërore për hetimin e rasteve të tilla të rënieve të avionëve. /CNN/













