Sht, Maj 30, 2026
Banner Top
Banner Top

Duke lexuar statistikat, kuptohet qartë se si një infarkt mund të ndryshojë rrjedhën e mirëqenies psiko-neurologjike të personit që goditet nga ataku kardiak, pavarësisht pasojave që mungesa e oksigjenit ka mbi zemrën, shkruan salute.eu.

Mjafton të mendosh se te personat që kanë kaluar një infarkt, incidenca e ankthit dhe depresionit rritet ndjeshëm, duke ndikuar në shëndetin psikologjik dhe neurologjik të individit.

Jo vetëm kaq: ata që vuajnë nga depresioni ose ankthi kanë një rrezik 2.7 herë më të lartë për të pësuar një infarkt të dytë ose për të humbur jetën pas ishemisë.

Por, çfarë ndodh realisht tek këta persona?

Një përgjigje përpiqet ta japë një studim i kryer nga ekspertët e University of Ottawa, i publikuar në ”Advanced Sciences”, që përqendrohet te metilglioksali, i njohur si një përbërës i mjaltit Manuka (dhe jo vetëm), por që kryen funksione të ndryshme edhe kur prodhohet natyrshëm nga organizmi.Ky përbërës sintetizohet në trup kur qelizat shndërrojnë glukozën në energji: normalisht eliminohet pa probleme, por në kushte patologjike mund të grumbullohet dhe të çojë në inflamacion dhe fenomene të tjera negative.

Studimi, i koordinuar nga Erik Suuronen, tregon se si një infarkt mund të ndryshojë në mënyrë drastike funksionet e trurit dhe të shkaktojë efekte neurologjike, nga depresioni dhe ankthi deri te forma të ndryshme të rënies njohëse, pikërisht për shkak të veprimit të dëmshëm të këtij përbërësi.

Veprimi i metilglioksalit

Duhet sqaruar se ndoshta janë të shumtë faktorët, me ndikime të ndryshme, që si bashkëfaktorë ose rrugë sinjalizimi ndikojnë në lidhjen mes shëndetit të zemrës dhe atij të trurit.

Por në këtë rast, metilglioksali do të ishte një produkt vërtet “i dëmshëm” (bëhet fjalë për prodhim të brendshëm të organizmit dhe jo për marrje nga ushqimi) për sistemin nervor.

Sipas studimit, bëhet fjalë për një molekulë shumë reaktive, e cila rritet në gjak dhe grumbullohet në tru pas një infarkti.Pas ishemisë, trupi hyn në një gjendje stresi: niveli i oksigjenit bie, inflamacioni rritet dhe metabolizmi ndryshon. Si pasojë, rriten nivelet e metilglioksalit në gjak, me një grumbullim të mëvonshëm në zona të caktuara të trurit që lidhen me humorin dhe funksionet konjitive.

“Metilglioksali është studiuar gjerësisht për rolin e tij në sëmundjet metabolike, përfshirë diabetin, por dihet shumë më pak për funksionin e tij në patologji të tjera”, shpjegon Suuronen në një deklaratë të universitetit kanadez.

“Në një studim të mëparshëm, zbuluam se metilglioksali prodhohet nga indi kardiak në nekrozë pas një infarkti: mbi bazën e këtyre të dhënave, parashikuam se metilglioksali në gjak do të ndikonte edhe organe e inde të tjera, përfshirë trurin, dhe pikërisht këtë kemi vërejtur”.

Boshti zemër-tru

“Që ekziston një lidhje e fortë mes zemrës dhe trurit tashmë është e qartë”, thotë Giuseppe Musumeci, drejtor i Kardiologjisë në Ospedale Mauriziano.

“Mjafton të mendosh për të ashtuquajturën sindromë të zemrës së thyer, me shfaqjen e një infarkti akut të miokardit pas një emocioni shumë të fortë, zakonisht pas një zie, që prek sidomos gratë”.Shembulli i specialistit i referohet sindromës Tako-Tsubo. E njihni formën e koshit me të cilin peshkatarët japonezë kapin oktapodët? Pikërisht atë formë merr zemra kur preket nga kjo sindromë.

“Mund ta përkufizonim këtë gjendje si një sëmundje kardiake nga ‘dhimbja e zemrës’”, shpjegon Musumeci.

Shfaqja klinike ngjan plotësisht me infarktin, me shenjat klasike të tij, duke nisur nga dhimbja e fortë që përhapet nga kraharori drejt fytit dhe shpatullave.Kjo formë “kardiomiopatie nga stresi”, pra, është vetëm një nga provat e shumta klinike të marrëdhënies së vazhdueshme mes zemrës dhe truritm, transmeton ATSh.

Duke u rikthyer te studimi, perspektivat duken shumë domethënëse. “Ajo që del nga ky studim është e rëndësishme: çdo informacion apo objektiv i ri që mund të ndihmojë në uljen e vdekshmërisë kardiovaskulare është padyshim i mirëpritur”, përfundon Musumeci.

Youtube

Arkiva

Kategoritë