Të qenit vazhdimisht në vonesë nuk është gjithmonë thjesht çështje dembelizmi apo mungesë respekti. Për disa njerëz, kjo mund të lidhet me ADHD-në (çrregullimin e vëmendjes me hiperaktivitet), përmes një vështirësie të njohur si “verbëria ndaj kohës”. Kjo do të thotë vështirësi në vlerësimin se sa kohë kërkojnë detyrat ose sa kohë ka kaluar.
Alice Lovatt, muzikante dhe punonjëse sociale nga Liverpooli, përjetonte shpesh stres dhe turp për shkak të vonesave të saj të përsëritura. Vetëm pasi u diagnostikua me ADHD në moshën 22-vjeçare, ajo kuptoi se problemi kishte një emër dhe një shpjegim shkencor.
Ekspertët shpjegojnë se verbëria ndaj kohës lidhet me funksionet ekzekutive të trurit, veçanërisht me lobet ballore, dhe është një tipar i dokumentuar mirë i ADHD-së. Sipas psikoterapistes Stephanie Sarkis, dallimi qëndron te ndikimi funksional: te personat me ADHD, vonesat ndikojnë seriozisht në jetën familjare, shoqërore dhe profesionale, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, specialistët theksojnë se ADHD nuk është një justifikim automatik për çdo vonesë. Jo të gjithë ata që vonohen kanë këtë çrregullim. Në disa raste, vonesa lidhet me ankthin, nevojën për kontroll apo ndjenjën e superioritetit.
Pavarësisht shkakut, përgjegjësia për ndikimin te të tjerët mbetet. Strategjitë që ndihmojnë personat me ADHD – si përdorimi i orëve inteligjente, ndarja e detyrave në hapa të vegjël dhe planifikimi realist i kohës – mund të jenë të dobishme për këdo. Siç thotë edhe Lovatt, përmirësimi nuk është perfekt, por e ka bërë atë shumë më të besueshme në përditshmëri.











