Die, Mar 24, 2024
Banner Top
Banner Top
Veprimtaritë që kërkojnë kujdes gjatë 3-mujorit të parë të shtatzënisë

Pas tremujorit të parë, është mirë t’i shmangni ushtrimet që kërkojnë të shtriheni me shpinë për një kohë të gjatë. Pesha e foshnjës mund t’ju shkaktojë probleme në qarkullimin e gjakut. Gjithashtu është e dëmshme edhe nëse qëndroni pa lëvizur për një kohë të gjatë. Përveç kësaj, tregoni kujdes me çdolloj aktiviteti që kryeni, sepse mund të rrëzoheni apo të dëmtoni abdomenin. Të rrezikshme janë edhe dëmtimet që shkaktohen nga gjimnastika, kalërimi, sërfi dhe sporte të tjera. Në të njëjtën kohë, është mirë të hiqni dorë nga basketbolli apo futbolli, pasi ekziston mundësia që të rrëzoheni apo të përplaseni me një person tjetër. Përveç kësaj, këto sporte kërkojnë që të kërceni shumë lart apo të ndryshoni pozicion shumë shpejt, ndaj dhe rreziku i dëmtimit të kërcit dhe ligamenteve, të cilat dobësohen gjatë shtatzënisë, është më i madh. Probleme mund të sjellin edhe veprimtaritë nënujore dhe ato në lartësi të mëdha. Nuk ka problem nëse zhyteni në ujëra të cekëta, por shmangni zhytjet në thellësi, sepse presioni i ajrit mund të vërë në rrezik foshnjën. Veprimtari të tilla si ekskursionet në lartësi mbi 1800 metra mbi nivelin e detit, mund të shkaktojnë të përziera, që mund të rrezikojnë jo vetëm shëndetin tuaj, por edhe atë të foshnjës.
Ushtrime për shtatzëninë: të sjellësh në jetë një fëmijë, është një përvojë e mrekullueshme, por orët përpara procesit të lindjes janë një sforcim i vërtetë. Muskujt dhe kockat e legenit hapen për të sjellë në këtë botë një vogëlush apo vogëlushe të bukur. Nëse e përgatisni trupin për atë që
e pret, procesi mund të jetë më i lehtë. Gjatë shtatzënisë, nyjat dhe muskujt që përfshihen në procesin para dhe gjatë lindjes, do të bëhen më elastikë falë disa ushtrimeve. Disa ushtrime të tjera mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve gjatë shtatzënisë, si dhimbjet e shpinës dhe spazmat. E mira është që si fillim të nisni me një ushtrim, e më pas të shtoni nga një ushtrim të ri çdo muaj, por nuk është e thënë që të veproni domosdoshmërisht në këtë mënyrë. Nëse dëshironi, mund t’i bëni të gjitha ushtrimet njëherësh apo sipas rendit që ju pëlqen. Nëse ushtroheni, kur të vijë koha e duhur dhe kur të nisin kontraktimet, trupi do të jetë gati.

Marre nga libri “Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme”

Youtube

Arkiva

Kategoritë