Mar, Mar 19, 2024
Banner Top
Banner Top
Trajtimi i fëmijëve të braktisur dhe nënave që braktisin fëmijë

Shkruar nga: Vebi Mujku – Njohës i çështjeve sociale

Shumica e shtatzënive janë të definuara si shtatzëni të padëshiruara, apo të pakontrolluara, shpesh edhe recidiviste, për shkak të ndonjë rrethane të caktuar si: mashtrim, lajthitje, joshje, sëmundje mentale apo dhunim, gjendje shëndetësore të mirë apo nën ndikim të përdorimi të ndonjë substance psiko-aktive e cila humb kontrollin afatshkurtër apo afatgjatë.

Faktorë tjetër padyshim se është edhe mospërkrahja e familjes, mungesa e një vendi të punës, mungesa e banimit, mungesa e përkrahjes institucionale, presioni nga rrethi dhe komuniteti.

Por për tu kujdes për këto nëna dhe fëmijë janë institucione të mandatuara, dhe të “përgatitura profesionalisht” që jo rrallëherë bëjnë edhe shkelje të procedurave, qoftë për shkak të mosnjohurive apo edhe qëllimshëm për ndonjë arsye tjetër.

Jo rrallë lexojmë prononcime se si institucionet e ndryshme të ndërlidhura me fëmijët e braktisur kryejnë punë me apo pa vetëdije, që nuk ju përkasin fare, dalin jashtë mandatit, përgjegjësive dhe kompetencave të tyre.

Edhe pse me legjislacion janë definuar relativisht mirë çështjet që lidhen me trajtimin e fëmijëve të braktisur, në praktikë shpesh nuk ka zbatim dhe respektim të standardeve dhe procedurave për trajtimin e fëmijëve të braktisur.

Fëmijët kryesisht braktisen nga nënat e tyre në spital menjëherë pas lindjes, por ka raste kur lindin jashtë spitalit dhe ata fëmijë lihen në ambient të hapur. Në secilin rast, fëmija duhet të vendoset në spital dhe të ju ofrohet kujdesi i nevojshëm për së paku 28 ditë, me mundësi të vazhdimit me qëllim të hospitalizimit.

Obligimet e spitalit janë, informimi i shpejtë dhe me kohë i Qendrës për Punë Sociale përkatëse, e cila prej atij momentin merr përgjegjësinë dhe cakton një kujdestar për fëmijën dhe e merr rastin nën menaxhim.

Të gjitha obligimet për fëmijën e braktisur si kujdesi, përpjekja për gjetjen e prindit biologjik (në bashkëpunim me policinë, me të dhënat në dispozicion, në rast se nëna ka ikur nga spitali pa u identifikuar), bashkimi familjar, strehimi, janë kompetencë e Qendrës për Punë Sociale, dhe asnjëherë e personelit të spitalit, i cili është i mandatuar vetëm të ju ofrojë shërbime dhe kujdes shëndetësorë për fëmijën. 

Jo rrallë lexojmë prononcime ku personeli i spitalit deklarohet se edhe pas periudhës disa javore apo mujore bëjnë bashkim familjar, me prindin biologjik, e çka është edhe më e rëndë vetëm më prindin babë.

Ky bashkim është i mundur vetëm kur faktohet përmes ADN-së apo pranimit të babait biologjik nga nëna biologjike, duke marrë gjitha përgjegjësitë, e jo me një deklarim të thjeshtë të një “Babai” të vetëm, si prind i një fëmije të braktisur.

Qendra për Punë Sociale ka përgjegjësinë e strehimit të fëmijëve të braktisur në strehim të përkohshëm, e që për momentin në Kosovë kemi dy mundësi SOS Fshatrat e Kosovës dhe familjet strehuese.

Fëmija i cili vendoset në njërën nga format e strehimit, gjatë qëndrimit në strehim merr shërbimet e domosdoshme, duke ju mbrojtur identiteti, dhe gjithçka që lidhet me familjen biologjike, gjegjësisht prindin nënë apo kur njihet edhe prindi baba.

Pas zgjidhjes së statusit të fëmijës, i cili është i gatshëm për adoptim, kompetencat mbeten vetëm në mandatin e Qendrës për Punë Sociale, kujdestarit dhe menaxherit të rastit, që të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.

Në asnjë situatë strehimoret apo familjet strehuese, nuk bën të dinë se ku përfundon fëmija, në cilën familje adoptuese, cili është identiteti i familjes adoptuese, cili është identiteti i ri i fëmijës, pasi që ndërrohet zakonisht, cili është vendbanimi i ri, me një fjalë asgjë nuk guxon të dihet.

A ndodh kjo në praktikë? Me siguri se jo. Në shumicën e rasteve me apo pa dashje, informatat shpërndahen duke mos u respektuar fare parimi i konfidencialitetit (fshehtësisë) të fëmijës.

Shumë nga personeli qoftë në spital apo strehim, është i informuar me epilogun final të fëmijës, si mungesë e mos respektimit të standardeve dhe legjislacionit në fuqi. Rrjedha e informatave qoftë nga zyrtari i shërbimeve sociale i QPS-së, zyrtari i MPMS-së, zyrtari i gjendjes civile, personeli i spitalit, gjykata apo stafit gjatë strehimit të përkohshëm, përbën në vete shkelje të etikës profesionale dhe është e sanksionuar me legjislacion.

Prandaj, lidhur me trajtimin e rasteve të fëmijëve të braktisur, duhet të ngritën kapacitetet profesionale të të gjithë të ndërlidhurve, në mënyrë që të mos shkelet privatësia e tyre, deri sa ata të arrijnë moshën madhore dhe të vendosin për fatin e tyre.

Por në të njëjtën kohë është shqetësuese edhe braktisja e fëmijëve nga nënat recidiviste në shtatzëni, me të cilat shumë pak punohet, dhe të cilat kanë nevojë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë