Për shkak të pandemisë, gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor do të përfundojë sot. Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nxënësit do të pushojnë deri më 18 janar.
Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është thënë se planprogrami mësimor është realizuar në një masë të konsiderueshme, ndërkaq nga kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, është bërë e ditur se nuk do të ketë pushim pranveror dhe të gjitha orët e humbura do të kompensohen.
“Është propozuar dhe palët mbase janë pajtuar që me fillim të gjysmëvjetorit të dytë, pushim pranveror të mos ketë, por të jetë proces mësimor, mbase do të zgjatet vitit shkollor për ndonjë ditë. SBAShK përkrah çdo angazhim në marrëveshje me ne pa u dëmtuar mësimdhënësit e Kosovës që të realizohet sa më mirë procesi mësimor në këtë vit shkollor”, ka deklaruar Jasharaj për Telegrafin.
Gjatë gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor nga coronavirusi janë infektuar një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve dhe i nxënësve. Shkollat të cilat kanë pasur raste të konfirmuara me coronavirus, kanë kaluar në mbajtjen e mësimit online.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 453 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 233.