Kur fëmijët tuaj hyjnë në pubertet, ata janë në gjendje më të mirë për të shprehur ndjenjat dhe zhvillon një ndjenjë më të fortë për të dalluar të mirën nga e keqja.
Ata fillojnë të bëjnë zgjedhje të veta për miqtë, sportin apo shkollën. Kjo pavarësi sjell një përqendrim më të madh te vetja, te personaliteti, interesat dhe shoqëria që zgjedhin.
Në të njëjtën kohë ndodhin edhe ndryshime të shumta fizike si fillimi i menstruacioneve te vajzat apo trashja e zërit te djemtë. Për disa fëmijë këto ndryshime mund të jenë shqetësuese ose të frikshme.
Një periudhë ndryshimesh
Ndryshimet e shpejta fizike, të kombinuara me shqetësimet për pamjen dhe rëndësinë që i japin miqësive, mund të ndikojnë në mirëqenien mendore dhe emocionale të fëmijës. Kjo mund të jetë një periudhë sfiduese ndërsa ata përpiqen të orientohen në këtë fazë të rëndësishme të zhvillimit. Të dinë që mund të flasin me ju për shqetësimet apo problemet e tyre mund të bëjë një ndryshim të madh.
Në këtë moshë fëmijët mund të:
- Ndjejnë luhatje humori dhe kalime të shpeshta mes gjendjeve të gëzimit dhe trishtimit.
- Ndihen të ngarkuar nga detyrat shkollore.
- Shfaqin shqetësime lidhur me ushqimin ose sjellje të lidhura me të.
- Ndihen të trishtuar apo të shqetësuar, gjë që mund të ndikojë te vetëbesimi, ndjesia e vlerës personale dhe të çojë në vështirësi të tjera sipas rastit.
Si ta filloni bisedën me ta:
- Zgjidhni një moment të qetë dhe hapësirë të përshtatshme për të biseduar pa ushtruar presion apo pritshmëri.
- Mund të jetë gjatë ndonjë pune të përbashkët, si gatimi, pastrimi apo gjatë një udhëtimi.
- Lejojeni bisedën të rrjedhë natyrshëm dhe mos u sillni në mënyrë hetuese.
- Respektoni gjendjen emocionale të fëmijës. Nëse është një ditë e vështirë apo ai është i zënë, prisni një moment më të përshtatshëm.
Komunikimi i hapur, i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë:
Nëse vëreni ndryshime në sjelljen apo gjendjen e fëmijës suaj, tregojuni me kujdes që e keni vënë re dhe pyesni nëse dëshirojnë të flasin për këtë. Për shembull:
- Nëse nuk janë më aq shoqërorë me miqtë si më parë, mund të pyesni nëse kanë pasur ndonjë zënkë.
- Nëse notat shkollore bien, mund të kërkoni nëse ka ndonjë lëndë me të cilën kanë vështirësi.
- Nëse duken më të mbyllur, më të trishtuar apo të heshtur, mund të pyesni nëse kanë diçka që i shqetëson.
Çfarë të bëni:
- Dëgjoni me vëmendje dhe përpiquni të mos lejoni mendimet apo gjykimet tuaja të drejtojnë bisedën. Respektoni dhe inkurajoni mendimin e fëmijës.
- Pranoni ndjenjat e tyre dhe tregojuni që i kuptoni. Inkurajojini të jenë të hapur me ju dhe sigurojini që jeni aty për ta. Mund t’ua kujtoni që edhe ju keni qenë në këtë moshë dhe keni përjetuar ndjenja të ngjashme.
- Ofroni mundësi zgjidhjeje dhe pyesni nëse kanë menduar çfarë mund të ndryshojë. Nëse jo, ofroni mbështetje dhe dëgjojini ndërsa flasin. Qëndroni pranë tyre për t’i ndihmuar të ndihen më mirë.
Çfarë të mos bëni:
- Mos u thoni çfarë duhet të bëjnë. Më mirë pyesni si mund t’i ndihmoni.
- Mos i nënvlerësoni ndjenjat e tyre. Mbani mend që është e vështirë të flasësh për ndjenja që mund të jenë të paqarta për ta.
- Mos debatoni. Kushtojini vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja dhe përpiquni të shmangni konfliktin. Nëse ndodh ndonjë përplasje, kërkoni ndjesë dhe rifilloni bisedën.
- Mos i fajësoni të tjerët. Për shembull, të thuash “është faji i shkollës” nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit.
- Mos i krahasoni me të tjerët. Shmangni fraza si “fëmijët e tjerë nuk kanë këto probleme.”
Mos harroni që durimi dhe qëndrueshmëria janë thelbësore
Në këtë moshë fëmija juaj mund të shprehë më pak afeksion ndaj jush dhe ndonjëherë të duket i pasjellshëm apo i nxehur.
Ndërsa bëhen më të pavarur dhe kërkojnë më shumë kontroll mbi jetën e tyre, është e mundur që herë pas here të hasni rezistencë prej tyre. Këto biseda janë të reja për ta dhe mund të jenë të parehatshme.
Kini parasysh që mund të kërkojë kohë, por përpiquni gjithmonë të tregoni se i doni dhe se mendoni për mirëqenien e tyre. /UNICEF/












