Pre, Pri 10, 2026
Banner Top
Banner Top
Profesoresha më e cituar shqiptare në botë takohet me prorektorët e UP-së dhe ligjëron në Fakultetin e Mjekësisë

Profesoresha e Universitetit Monash të Australisë, e afiliuar në Universitetin e Prishtinës, Zanfina Ademi mbajti një ligjëratë në Degën e Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Siç ka njoftuar Universiteti i Prishtinës, Zanfina Adem do të japë me kohë të pjesshme lëndën Menaxhment farmaceutik në Degën e Farmacisë të UP-së.

“Profesoresha nga diaspora akademike që është shkencëtarja më e cituar shqiptare në botë, ligjëroi para studentëve të vitit të katërt në lidhje me rimbursimin e barnave në sistemin farmaceutik, duke marrë shembull se si funksionon ekonomia shëndetësore në Australi.” ka njoftuar Universiteti i Prishtinës.

Sipas këtij njoftimi, profesoresha Zanfina Ademi tregoi se në disa shtete, përveç efikasitetit, kosto-efektivitetit dhe analizës së ndikimit buxhetor, vlerësohet edhe dobia shoqërore e barit. Nëse një bar e rrit cilësinë dhe jetëgjatësinë e jetës së pacientëve me sëmundje të rënda, duke ua mundësuar të jetojnë pa shoqërues, atëherë ai ndikon direkt në ekonominë e vendit, pasi arrihet punësimi edhe i njerëzve që duhej të kujdeseshin për të sëmurët në kushte shtëpie.

Po ashtu, Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se teksa profesoresha iu përgjigj pyetjeve për ligjëratën, ajo gjithashtu i porositi studentët e Universitetit të Prishtinës që të përcaktohen për ndryshime, edhe pse tregoi se ndryshimet bëhen shumë vështirë dhe për to duhet punë e madhe.

Në këtë njoftim është theksuar se një ditë para ligjëratës, profesoresha e Ademi u takua me prorektorët Rozafa Basha, Albana Berisha-Qehaja, Majlinda Gjelaj dhe Adem Beha, ku sipas njoftimit, në këtë takim, profesoresha Ademi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin dhe praninë në mjediset e Universitetit të Prishtinës.

“Prof. Zanfina Ademi u afiliua me UP-në në mbledhjen e Senatit të zhvilluar më 20 shkurt 2026, në bazë të Rregullores për transferim, programin „Brain Gain” dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, që synon të sjellë në Universitetin e Prishtinës profesionistë të dëshmuar nga 400 universitetet më të njohura të globit. Deri tash me këtë rregullore janë lidhur edhe me UP-në tetë profesorë nga universitete të njohura botërore.” ka bërë të ditur tutje Universiteti i Prishtinës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë