Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar opinionin publik lidhur me gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e fëmijës E.H., i cili është pranuar më 10 gusht 2025 në Njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik, pas transferimit nga Klinika Emergjente, me gjendje të rënduar si pasojë e politraumës.
Që nga pranimi, pacienti ka qenë nën përkujdesje të vazhdueshme nga stafi mjekësor dhe infermieror, duke marrë trajtimin e nevojshëm sipas protokolleve mjekësore. Janë realizuar përpunime laboratorike dhe ekzaminime imazherike, si dhe janë kryer konsultime të shumta multidisiplinare me neurokirurg, neurolog pediatrik, oftalmolog dhe fiziatër.
Fëmija ka marrë terapi të kombinuar, përfshirë antibiotikë, terapi antiepileptike, kortikoterapi, si dhe trajtim fizik dhe mbështetës. Ushqimi i tij është kryer përmes sonde nazogastrike, ndërsa monitorimi mjekësor ka qenë i pandërprerë nga ekipi kujdestar.
Pas 17 ditësh trajtim në kujdes intensiv, më 27 gusht 2025, pacienti është transferuar në Repartin e Neurologjisë Pediatrike me parametra vitalë të stabilizuar dhe është duke vazhduar trajtimin e mëtejshëm nën mbikëqyrje të plotë mjekësore.
Klinika e Pediatrisë siguron familjarët dhe opinionin publik se fëmijës nuk i ka munguar asnjëherë kujdesi profesional dhe se ai vazhdon të jetë nën përkujdesjen e pandërprerë të stafit shëndetësor të QKUK-së.












