Në një paralajmërim të fuqishëm, Organizata e Kombeve të Bashkuara, në bashkëpunim me OBSH, UNICEF dhe aleancën globale të vaksinave Gavi, ka ngritur shqetësimin për përhapjen në rritje të sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksina.
Fruthi, meningjiti dhe ethet e verdha po rikthehen me shpejtësi shqetësuese në shumë vende të botës, si pasojë e keqinformimit, rënies së fondeve ndërkombëtare dhe krizave humanitare.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, “vaksinat kanë shpëtuar mbi 150 milionë jetë në 50 vitet e fundit”. Por ai paralajmëron se shkurtimet në buxhetet globale për shëndetin po vënë në rrezik këto arritje historike, transmeton Gazeta Shneta
Fruthi po rikthehet në mënyrë “veçanërisht të rrezikshme”, me rreth 10.3 milionë raste të raportuara vetëm në vitin 2023 – një rritje prej 20% krahasuar me vitin e mëparshëm. Në 12 muajt e fundit, 138 vende kanë raportuar raste të fruthit, ndërsa 61 prej tyre kanë përjetuar shpërthime të mëdha, duke shënuar rekord që nga viti 2019.
Rritje shqetësuese janë shënuar edhe për meningjitin dhe ethet e verdha, veçanërisht në Afrikë gjatë vitit 2024, sipas deklaratës së përbashkët të publikuar në nisje të Javës Botërore të Imunizimit (24-30 prill).
Organizatat ndërkombëtare theksojnë se shkurtimi i fondeve ka lënë miliona fëmijë dhe të rritur në rrezik. UNICEF raportoi se në vitin 2023, rreth 14.5 milionë fëmijë nuk morën asnjë nga vaksinat rutinë – një numër në rritje krahasuar me vitin 2022.
Në përgjigje të kësaj krize, Gavi po kërkon të mbledhë të paktën 9 miliardë dollarë në samitin e ardhshëm më 25 qershor, me qëllim mbrojtjen e 500 milionë fëmijëve dhe shpëtimin e të paktën 8 milionë jetëve nga viti 2026 deri në 2030.












