Die, Mar 29, 2026
Banner Top
Banner Top
“Mes Plagëve dhe Shpresës” – Rrëfimi i Dr. Ali Hoti për ushtrimin e profesionit gjatë kohës së luftës në Kosovë!

Shkruan: Krenare Hoti

Në ditët më të vështira të vendit tonë, kur lufta për liri nuk ishte më vetëm lajm, por realitet i përditshëm, zgjedhja për të ushtruar profesionin e mjekut nuk ishte thjesht detyrë, ishte thirrje e ndërgjegjes!

Doktor Ali Hoti, mjek që dha kontribut të çmueshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë kujton këtë periudhë të vështirë dhe ndan me ne rrëfimin e tij duke na treguar motivin e tij për ta ushtruar profesionin si dhe momentet më të rënda që kaloi.

Në rrëfimin e tij për kohën e luftës për FamiljaJonë, mjeku tregon se motivi kryesor që e shtyu ta ushtronte profesionin në ato rrethana ishte lufta çlirimtare dhe sakrifica e djemve dhe vajzave që kishin dalë për liri. Në përgjigjet e tij ai thekson se ndiente detyrim moral dhe njerëzor për t’i shërbyer popullit dhe ushtrisë në ditët më të vështira, sepse, siç shprehet vetë, ata ishin bijtë dhe bijat më të mira të popullit, që kishin vendosur të dilnin në mal për liri.

Ai kujton se momenti kur e kuptoi se lufta kishte hyrë plotësisht edhe në jetën e tij profesionale dhe personale ishte që në ditët e para të aksioneve, kur gjithçka doli hapur dhe nevoja për ndihmë mjekësore profesionale u bë e menjëhershme. Sipas tij, prej atij çasti nuk kishte më ndarje mes jetës personale dhe detyrës, shërbimi u bë i pandërprerë.

Duke rrëfyer për organizimin e punës, Dr. Hoti kujton se shërbimi zhvillohej në ambulancat e brigadës, me kontrolle e vizita të vazhdueshme dhe kujdestari 24-orëshe. Ai thekson se ishin gjithmonë në gatishmëri, të thirrur në çdo moment, duke dalë në terren sa herë që kërkohej ndihmë.

Përveç luftëtarëve, ai kujton edhe numrin e madh të civilëve të zhvendosur që kërkonin trajtim. Sipas përgjigjjeve të tij, lodhja ishte e madhe, por nevoja e njerëzve ishte edhe më e madhe dhe kjo i mbante në këmbë.

Me shumë emocion ai ndalet edhe te sfidat!

Në përgjigjet e tij për FamiljaJonë, Dr. Hoti thekson se mungesa e barnave dhe e materialeve sanitare ishte plagë e përditshme. Lëvizja ishte e rrezikshme, kurse furnizimi pothuajse i pamundur. Çdo ilaç kishte peshën e jetës. Ai tregon se shpesh punonin me atë pak që kishin, duke u mbështetur më shumë te përkushtimi sesa te mjetet.

Një nga kujtimet më të dhimbshme që ai ndan me ne është kur një ushtar i solli një fëmijë dhe i tha se nuk guxonte të lëvizte më tej për shkak të rrezikut.

“Deri këtu munda, tani po ta dorëzoj në dorë,” kujton ai fjalët e ushtarit. Por për fat të mirë, fëmija u shërua dhe shërimi i tij u bë një dritë shprese mes errësirës së luftës!

E në fund të rrëfimit të tij, mjeku ka një mesazh drejtuar kolegëve të rinjë:

“Duane profesionin dhe duane popullin! Shërbeni popullit me krenari sepse ne jemi bijtë dhe bijat e këtij vendi dhe shërbimi ndaj tij është nder!”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë