Mër, Qer 29, 2022
Banner Top
Banner Top
Kufizimet në abortin e hershëm

Kostoja e një aborti rritet ndjeshëm me kalimin e kohës, nga disa qindra dollarë në mijëra sosh në tremujorin e dytë dhe madje dhjetëra mijëra më vonë.

Për shumë gra pengesat financiare ndaj abortit shërbejnë për ta shtyrë procedurën më vonë, sepse mund t’u duhet kohë për të gjetur paratë e nevojshme
Një 18-vjeçare po trajtohej për çrregullim të të ngrënit kur kishte mësuar se është shtatzënë tashmë në tremujorin e dytë. Një nënë e dy fëmijëve në javën e 20-të zbuloi se fëmija i saj që e donte aq shumë nuk kishte veshka e fshikëz. Një grua e re u përdhunua e nuk e merrte me mend ta vazhdonte shtatzëninë.

Abortet e mëvonshme në shtatzëni janë relativisht të rralla, aq më tepër tani me dispozicionin e medikamenteve për t’i ndërprerë shtatzënitë e hershme.

Në pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara ato janë po ashtu gjithnjë e më të vështira për t’u ndërmarrë.

Sfida ligjore

Tani, nëse Gjykata e Lartë e SHBA-së rrëzon vendimin e saj të vitit 1973, Roe kundër Wade, që e legalizonte abortin, gratë do të përballen edhe më shumë me pengesa në disa pjesë të vendit dhe mund t’iu duhet të udhëtojnë në një tjetër shtet për të bërë abort.

Kjo nënkupton se shumë gra mund të përfundojnë duke e kryer procedurën më vonë sesa dëshirojnë, e barra bëhet më e rëndë për disa grupe, si adoleshentët, të varfrit, afro-amerikanët, latino-amerikanet, gratë vendase amerikane dhe ato që jetojnë në shtete ku qasja në çdo abort është kufizuar.

“Nuk është për shkak se njerëzit nuk duan t’i bëjnë më shpejt”, ka theksuar Diane Horvath, OB-GYN në Baltimore, Maryland, e cila ka kryer aborte për 16 vjet. “Kjo është për shkak se pengesat dhe informacioni i ri bën që ta shtyjnë ndërhyrjen më vonë gjatë shtatzënisë”.

Associated Press ka intervistuar tri gra që kishin abortuar më vonë gjatë shtatzënisë. Teksa prejardhja dhe arsyet e tyre për ndërprerjen e shtatzënisë ishin të ndryshme, asnjëra nuk shprehu dyshime për vendimin e tyre – në fakt të gjitha ishin mirënjohëse që ishin në gjendje ta bënin atë.

Foshnja e shumëdëshiruar, me mungesa organesh

Christina Taylor tashmë kishte dy fëmijë kur mbeti shtatzënë me të tretin. Gjithçka po shkonte mirë në fillim dhe mezi po e priste ardhjen e fëmijës në familje.

Kur ishte 20 javë shtatzënë, Taylor bëri kontrollin për ekografi dhe skanim bazë anatomie që zakonisht bëhet në këtë fazë. Për shumicën e njerëzve, kjo është edhe koha për ta zbuluar gjininë e foshnjës. Për disa, po ashtu është faza kur zbulohen anomalitë e fetusit.

“U shtriva dhe infermierja e ultrazërit po bënte punën e saj ndërkohë që ajo ishte shumë e qetë dhe po merrte më shumë kohë se zakonisht”, kujton ajo. “U largua nga dhoma për një moment duke thënë se i duhet të flasë me mjekun”.

Kur infermierja u kthye, Taylori mund ta dallonte nga fytyra se diçka nuk po shkonte mirë. Kur erdhi doktori, i tregoi çiftit se nuk kishte lëng amniotik. Nuk kishe as veshka. Fëmija kishte të ngjarë të mos i mbijetonte shtatzënisë, ose nëse për mrekullisht do ta kryente shtatzëninë, foshnja do të vdiste menjëherë pas lindjes.

“I thashë doktorit se nuk isha shumë e sigurt, mirëpo për shëndetin tim mendor dhe atë të familjes sime dua ta ndërpres shtatzëninë sa më shpejt që të jetë e mundur”, kujtonte Taylor.

Ajo mori edhe mendim të dytë nga mjeku, i cili jo vetëm që konfirmoi se nuk kishte veshka, por as fshikëz.

Për fat të mirë në Kolorado aborti është i ligjshëm, siç ishte në atë kohë, pa kufizime gestacionale. Në SHBA pothuajse të gjitha abortet kryhen në tremujorin e parë të shtatzënisë. Në vitin 2019, pak më shumë se 6% e aborteve u kryen në javën e 14 deri në 20 të shtatzënisë, në tremujorin e dytë, ka njoftuar Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Më pas se 1% u zhvillua në javën e 21-të ose më vonë, në të tretën, bazuar në të dhënat më të fundit në dispozicion.

Historia e Taylorit tregon se si mund të duket aborti me qasje në kujdes të mirë shëndetësor, sigurim shëndetësor dhe pa pengesa ligjore.

“Kisha mundësinë të prisja dhe ta shihja kur do të kishte ndërruar jetë, pastaj do të kisha lindje të frytit të vdekur. E dija se nuk mund ta përballoja këtë. Nuk doja që fëmijët e mi të kalonin nëpër këtë gjendje”, ka bërë të ditur Taylor.

Rrugës për në shtëpi Taylor thirri kompaninë e saj të sigurimeve dhe kuptoi që kompania mbulonte të dy llojet e procedurave të abortit, zgjerimin dhe evakuimin, D&E dhe induksionin dhe zgjerimin ose I&D. Ajo zgjodhi këtë të fundit, që në thelb nënkuptonte përshpejtimin e lindjes dhe lindjen. Në këtë mënyrë, Taylor mund ta bënte procedurën në maternitet me një ekip mamish.

“Kishte një shans të vogël që ai të kishte lindur i gjallë e ne do të kishim mundësinë ta mbanim dhe t’i themi lamtumirë kur të ndërronte jetë”, ka theksuar ajo.

Ajo punoi për një ditë e gjysmë. Nisur nga rrethanat, Taylori e shihte këtë si përvojë pozitive, duke e ditur se “sa më keq mund të kishte qenë” po të jetonin ende në Teksas, ku edhe në vitin 2017 procedura nuk do të ishte e ligjshme, Ndalimi aktual i shtetit për të gjitha abortet pas 6 javësh nuk bën përjashtime – Taylor do të duhej të udhëtonte jashtë shtetit për të marrë kujdes, ose ndoshta të priste derisa foshnja të vdiste në barkun e saj, duke e vënë atë në rrezik të shtuar të infeksioneve dhe madje edhe vdekjes.

Vetëm tetë shtete lejojnë abortet në çdo kohë të shtatzënisë. Njëzet shtete nuk kanë kufizime kohore specifike, mirëpo i ndalojnë abortet në kohën e “qëndrueshmërisë së fetusit”, e cila përgjithësisht konsiderohet të jetë rreth javës 23 ose 24, por varet nga një mori faktorësh të tjerë përveç moshës gestacionale.

“Unë e bashkëshorti im ende pikëllohemi për humbjen e djalit”, ka thënë Taylor, e cila ka ndarë historinë e saj të abortit për të tërhequr vëmendjen ndaj përvojave të tilla si kjo. “E kemi pranuar faktin se kjo është diçka që mund të ndodhë ndonjëherë. Mirëpo mund të themi se ishim me fat për shkak se nuk kishin ligje për ta bërë atë që është e drejtë”.

“E mendoja vetëvrasjen”

“Të gjithë mendojnë se shtatzënitë janë të njëjta. Nuk i keni menstruacionet, keni të vjella, bëni testin dhe në pesë javë e dini se jeni shtatzënë. Kjo nuk është mënyra se si jeta funksionon për shumë njerëz”, ka thënë Erika Christensen, themeluese e “PatientForward”, organizatë jofitimprurëse që i ndihmon njerëzit të kenë qasje në abortet e mëvonshme.

Jenn Chalifoux, tani 30 vjeçe dhe studion për drejtësi në Universitetin e Kolorados në Boulder, mbeti shtatzënë në vitin 2010, kur ishte 18 vjeçe dhe merrte kujdes spitalor për çrregullimin në të ngrënë në Nju-Jork. Historia e saj prek mitet popullore – që gratë e dinë gjithmonë se janë shtatzëna dhe se gratë në shtetet liberale me ligje që ndalojnë vetëm abortet e rralla të vonuara mund t’i marrin ato lehtësisht.

Chalifoux u kthye në shtëpi nga kolegji në verë para vitit të dytë për të marrë trajtim për ushqim të kufizuar. Një simptomë e zakonshme e çrregullimeve ë tilla të të ngrënit është vonesa e menstruacioneve. Një shenjë e zakonshme – ani pse aspak e sigurt për dështimin- e të qenit shtatzënë është po ashtu vonesa e menstruacioneve.

“Kisha ekip mjekësor me mjekë e psikiatër. Në asnjë moment, asnjëri prej nesh nuk mendoi se fakti që nuk më kishin ardhur periodat ishte për shkak të një shtatzënie”, ka vënë në dukje Chalifoux.

Teksa po fillonte të shërohej nga çrregullimi i të ngrënit, megjithatë, menstruacionet ende nuk ishin kthyer. Ajo ishte nën kontrollin e lindjes, ama për çdo rast, bëri një test shtatzënie në shtëpi, i cili rezultoi pozitiv. Pasi konfirmoi shtatzëninë përmes testeve të gjakut, kontaktoi me Planned Parenthood, ku i thanë se ishte tepër vonë për abort mjekësor dhe se do t’i duhej një procedurë kirurgjikale.

Kostoja e një aborti rritet ndjeshëm me kalimin e kohës, nga disa qindra dollarë në mijëra në tremujorin e dytë dhe madje dhjetëra mijëra më vonë. Për shumë gra, pengesat financiare ndaj abortit shërbejnë për ta shtyrë procedurën më vonë, sepse mund të duhet kohë për të gjetur para. Medicaid, i cili ofron mbulim të kujdesit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta, nuk paguan për abort, përveç në rastin e përdhunimit, incestit ose kur jeta e nënës është në rrezik.

Arkiva

Kategoritë