Krenare Hoti
Zhvillimi i të folurit tek fëmijët është një proces kompleks që ndikohet nga faktorë biologjik, mjedisor dhe social.
Disa nga problemet më të zakonshme që mund të shfaqen gjatë zhvillimit të të folurit përfshijnë vonesën në të folur, çrregullimet artikulatore dhe fonologjike, çrregullimet e rrjedhshmërisë së të folurit (belbëzimi), çrregullimet e zërit, çrregullimet pragmatike të të folurit, etj.
Në Kosovë, viteve të fundit është vërejtur një rritje e numrit të fëmijëve që kanë probleme me të folur. Për këtë arsye, portali Familja Jonë ka intervistuar logopeden Prof. Bardha Kika, PhD.c. për të na shpjeguar më shumë rreth këtyre problemeve dhe se si prindërit mund të vedijësohen në lidhje me to.
Znjsh. Kika gjatë intervistës na ka treguar rreth shenjave të para që prindërit duhet të kenë parasysh për problemet e të folurit tek fëmijët, shkaqeve më të shpeshta të problemeve tek fëmijët, sfidave si dhe diagnozës.
Krejt në fund, Kika jep edhe një mesazh për të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve kanë probleme në të folur.
Intervista e plotë:
1. Cilat janë shenjat e para që prindërit duhet të kenë parasysh për problemet e të folurit tek fëmijët?
Shenjat e para të problemeve të të folurit mund të shfaqen që në vitin e parë të jetës. Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm nëse fëmija nuk reagon ndaj tingujve, nuk përdor gjeste si tregimi me gisht ose tundja e kokës deri në moshën 12 muajsh, dhe nuk thotë fjalët e para deri në 16 muajsh. Gjithashtu, nëse një fëmijë 2-vjeçar nuk përdor fraza me dy fjalë ose ka vështirësi të kuptojë udhëzime të thjeshta, mund të ketë nevojë për vlerësim nga një logoped.
2. Cilat janë shkaqet më të shpeshta të problemeve të të folurit tek fëmijët?
Problemet e të folurit tek fëmijët mund të kenë shkaqe të ndryshme, duke përfshirë faktorë biologjikë, gjenetikë dhe mjedisorë. Dëmtimet e dëgjimit, çrregullimet neurologjike dhe disa sindroma gjenetike shpesh ndikojnë në zhvillimin e të folurit dhe komunikimit. Vonesat në zhvillim, si dhe mungesa e stimulimit të duhur gjuhësor në mjedisin familjar, gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm. Përdorimi i tepërt i teknologjisë, veçanërisht ekraneve në moshë të hershme, është një faktor tjetër që mund të vonojë aftësitë gjuhësore, duke kufizuar ndërveprimin dhe ekspozimin e fëmijëve ndaj gjuhës së folur.
3. A ka një moshë specifike kur duhet të shqetësohen prindërit nëse fëmija i tyre ka vështirësi në të folur?
Po, ka disa etapa kyçe në zhvillimin gjuhësorë që ndihmojnë prindërit të identifikojnë vonesat e mundshme në të folur. Nëse një fëmijë 12-muajsh nuk prodhon tinguj ose nuk përdor gjeste për të komunikuar, nëse deri në 14 muaj nuk përdor fjalë të vetme, ose deri në 2 vjeç nuk kombinon dy fjalë në një fjali të thjeshtë, mund të jetë një sinjal për nevojën e vlerësimit nga një logoped. Gjithashtu, nëse fëmija ka vështirësi të kuptoj udhëzime të thjeshta, nuk reagon ndaj emrit të tij ose nuk tregon interes për ndërveprim social, është e rëndësishme që prindërit të kërkojnë këshilla profesionale.
4. A ka një lidhje midis problemeve të të folurit dhe vështirësive të tjera, si ato të mësimit ose të sjelljes?
Po, problemet e të folurit shpesh lidhen me vështirësi sociale, pasi fëmijët me sfida në komunikim mund të përjetojnë izolim, frustrim dhe vështirësi në ndërveprimin me bashkëmoshatarët. Kjo mund të ndikojë në zhvillimin e aftësive sociale dhe emocionale, duke ndikuar në vetëbesimin dhe sjelljen e tyre. Gjithashtu, vonesat në të folur mund të krijojnë pengesa në të kuptuarit, leximin dhe shkrimin.
5. Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen fëmijët dhe prindërit gjatë trajtimit të problemeve të të folurit?
Një nga sfidat më të mëdha është pritshmëria që përmirësimi do të ndodhë menjëherë, ndërkohë që trajtimi kërkon kohë dhe angazhim. Disa fëmijë mund të ndihen të frustruar nga vështirësitë në komunikim, ndërsa prindërit mund të hasin sfida në gjetjen e mbështetjes së duhur dhe konsistencës në terapi. Një tjetër sfidë është qasja e kufizuar në logopedë të specializuar në disa zona, gjë që mund të vonojë ndërhyrjen e duhur.
6. Cilat janë disa nga metodat më efektive që përdorni për të ndihmuar fëmijët me probleme të të folurit?
Metodat për ndihmën e fëmijëve me probleme të të folurit fokusohen në ndërhyrje të personalizuara bazuar në nevojat e tyre. Për zhvillimin e gjuhës dhe fjalorit, lojërat interaktive me figura dhe tregime ndihmojnë fëmijën të shprehë mendimet në mënyrë natyrale dhe të pasurojnë fjalorin. Për shqiptimin e tingujve përdoren ushtrime që ndihmojnë fëmijën të vendosë gjuhën dhe buzët në pozicionin e duhur, duke praktikuar përsëritjen e tingujve që kanë vështirësi për t’i artikuluar. Për fëmijët me vështirësi në lexim, përdoren metoda multisensoriale si ndarja e fjalëve në pjesë më të vogla, leximi me ndihmë vizuale dhe aktivitete praktike për të forcuar lidhjen midis tingujve dhe shkronjave.
7. Si e vlerësoni rëndësinë e diagnozës së hershme në trajtimin e problemeve të të folurit te fëmijët?
Identifikimi në kohë dhe diagnoza e hershme është thelbësore, pasi sa më shpejt të identifikohen vështirësitë, aq më efektive është ndërhyrja. Fëmijët që marrin trajtim herët kanë më shumë mundësi të zhvillojnë aftësitë e të folurit dhe të shmangin vështirësitë në komunikim dhe mësim. Kjo i ndihmon ata të fitojnë vetëbesim, të ndërveprojnë më lehtë me të tjerët dhe të përshtaten më mirë në shkollë dhe në jetën e përditshme.
8. Cilat janë këshillat më të mira për prindërit që kanë fëmijë me vështirësi të të folurit?
Prindërit luajnë një rol kyç në mbështetjen e fëmijëve me vështirësi në të folur dhe duhet të tregojnë durim. Bashkëpunimi i ngushtë me profesionistët e logopedisë dhe ndjekja e udhëzimeve nga ana e tyre, ndihmojnë në përmirësimin më të shpejtë. Stimulimi i gjuhës përmes bisedave të përditshme, leximit të librave dhe lojërave interaktive është thelbësor për zhvillimin e fjalorit dhe të komunikimit. Reduktimi i kohës para tabletit dhe inkurajimi i ndërveprimit të drejtpërdrejtë ndihmon fëmijën të praktikojë dhe forcojë aftësitë gjuhësore. Më e rëndësishmja, ai duhet të ndihet i mbështetur dhe i motivuar për të mësuar pa presion.
9. Sa është i rëndësishme bashkëpunimi midis logopedëve dhe profesionistëve të tjerë, si pedagogët ose mjekët, në trajtimin e këtyre problemeve?
Përveç bashkëpunimit me prindërit, logopedët duhet të punojnë edhe me profesionistë të tjerë si mjekët, pedagogët dhe psikologët, pasi problemet e të folurit shpesh lidhen me aspekte mjekësore, sociale, njohëse dhe emocionale. Një qasje holistike është thelbësore për të adresuar të gjitha nevojat e fëmijës dhe për të siguruar një ndërhyrje sa më efektive. Mësuesit ndihmojnë në integrimin e strategjive të komunikimit në mjedisin shkollor, ndërsa mjekët dhe specialistët tjerë mund të identifikojnë faktorët shëndetësorë që ndikojnë në të folur. Ky bashkëpunim ndërdisiplinor siguron mbështetje më të plotë dhe rrit mundësitë për zhvillim të suksesshëm të fëmijës.
10. Çfarë mesazhi do u jepnit prindërve?
Çdo fëmijë rritet me ritmin e tij, por si prindër, është normale të keni pyetje apo pasiguri rreth zhvillimit të të folurit. Edhe nëse gjithçka duket në rregull, një konsultë me një logoped rreth moshës 2 vjeç është një hap i mirë për t’u siguruar që fëmija juaj po zhvillohet siç duhet. Është gjithmonë më mirë të jemi një hap përpara sesa të presim. Sa më herët të ndihmojmë një fëmijë, aq më e lehtë dhe natyrale bëhet rruga e tij drejt komunikimit.