Krenare Hoti
Radiologjia luan një rol thelbësor në menaxhimin e aksidenteve dhe traumave duke ndihmuar në diagnostikimin e shpejtë dhe të saktë të dëmtimeve të brendshme. Përmes modaliteteve të ndryshme të imazherisë si radiografia, tomografia e kompjuterizuar (CT) dhe rezonanca magnetike (MRI), radiologët ofrojnë informacione jetike për vendimmarrjen klinike.
Por, për të kuptuar më shumë rreth rasteve të aksidenteve se si trajtohen nga radiologët, Familja Jonë ka intervistuar radiologun, Dr. Flamur Mushica nga Royal Imaging Center.
Më poshtë gjeni intervitën e plotë.
- Çfarë roli luan radiologjia në rastet e aksidenteve dhe traumave të rënda?
Radiologjia është një pjesë kyçe në menaxhimin e pacientëve me trauma të rënda të të gjitha natyrave, duke përfshirë edhe aksidentet e komunikacionit. Roli kyç në këtë vlerësim të pacientëve i takon tomografisë së kompjuterizuar (CT), e cila mund të realizohet te të gjithë pacientët, pa marrë parasysh moshën apo gjininë, dhe në disa raste edhe te gratë shtatzëna. Kusht për realizimin e saj është që pacienti të jetë stabil nga aspekti kardiovaskular, pra të mos jetë në gjendje shoku.
Ekzaminimi mund të kryhet brenda disa minutave (duke përfshirë këtu edhe pjesën teknike, si vendosja e pacientit në tavolinën e CT-së, etj.). Zakonisht realizohet e ashtuquajtura Whole Body CT ose Trauma CT, e cila për pak minuta skanon të gjithë trupin, dhe më pas imazhet janë në dispozicion të radiologëve dhe kolegëve të tjerë nga repartet e kirurgjisë, ortopedisë apo repartet tjera të përfshira në trajtimin e rastit konkret.
2. Cilat janë llojet më të zakonshme të imazherisë që përdoren në këto situata (si CT, MRI, Rentgen)?
Rolin kyç e ka tomografia e kompjuterizuar (CT), por mund të realizohen edhe ekzaminime të zakonshme radiologjike, si për shembull radiografia e regjioneve të ndryshme. Kjo përcaktohet në bazë të shkallës së lëndimit dhe pyetjes kryesore diagnostike. Rezonanca magnetike (MRI) zakonisht nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm në rastet e aksidenteve të rënda.
3. Si ndihmon radiologjia në diagnostikimin e dëmtimeve të brendshme që nuk mund të identifikohen nga ekzaminimi fizik?
CT-ja detekton në mënyrë shumë të saktë gjakderdhjet intrakraniale, qofshin ato në tru apo në hapësirat mes trurit dhe kafkës (të ashtuquajturat hematoma epidurale, subdurale dhe subarahnoidale), frakturat e bazës së kafkës, frakturat e boshtit kurrizor, lëndimet e enëve të gjakut, gjakderdhjet aktive, lëndimet e zemrës, mushkërive dhe të gjitha organeve intraabdominale. Me fjalë të tjera, përmes CT-së së realizuar në mënyrë natyrore dhe me aplikim të kontrastit, mund të detektohen pothuajse të gjitha lëndimet e mundshme që mund të ndodhin në aksidentet e ndryshme.
4. A duhet të bëhen ekzaminime radiologjike edhe në rastet kur pacienti nuk ndien dhimbje pas një aksidenti?
Dhimbja nuk është kriteri i vetëm për të vlerësuar një lëndim të mundshëm të organeve të brendshme. Pas ekzaminimit klinik, vlerësohet gjendja e përgjithshme e pacientit dhe, nëse është e nevojshme, vendoset për kryerjen e ndonjë ekzaminimi radiologjik. Për shembull, një pacient mund të mos ketë dhimbje të mëdha, por mund të ketë gjakderdhje në tru apo në organet e brendshme.
5. Cilat janë sfidat më të shpeshta që hasni gjatë punës me pacientët traumatizuar në rastet e tilla?
Një sfidë e vërtetë paraqitet kur, në të njëjtën kohë, paraqiten disa pacientë që kanë nevojë për ekzaminime të detajuara, si për shembull Whole Body CT ose Trauma CT, ndërsa në shumicën e rasteve numri i radiologëve është i kufizuar. Kjo e bën shumë të vështirë menaxhimin adekuat të situatës.
Një sfidë tjetër lind kur pacientët paraqiten me gjakderdhje të mëdha dhe janë jostabilë nga aspekti hemodinamik, duke kërkuar kujdes të veçantë dhe të menjëhershëm. Gjithashtu, pacientët me plagë të hapura, në gjendje konfuzionale apo pavetëdije përbëjnë një sfidë më vete.
Në përgjithësi, në situata të tilla, puna ekipore është thelbësore. Bashkëpunimi mes teknikëve të radiologjisë, radiologëve dhe ekipës së mjekëve të emergjencës, ku secili kryen rolin e vet në mënyrë profesionale, e bën të mundur që të arrihet një rezultat i shpejtë dhe i saktë në lidhje me gjendjen e pacientit.
6. Cilat janë rreziqet e ekspozimit të tepërt ndaj rrezatimit në këto situata? Si menaxhohen ato?
Në rastet kur ekziston rrezik për jetën, kjo as që vihet në diskutim dhe, në përgjithësi, nuk ka një dozë kufizuese të rrezatimit për pacientët. Për fat të mirë, pajisjet moderne të CT-së janë të pajisura me filtra dhe softuerë të ndryshëm që reduktojnë ndjeshëm nivelin e rrezatimit. Edhe shtatzënia nuk përbën kundërindikacion për realizimin e një ekzaminimi me CT, nëse indikacioni është jetik.
7. Çfarë mesazhi do të përcillnit për qytetarët në lidhje me rëndësinë e radiologjisë në rastet emergjente?
Në rastet kur ka nevojë për ekzaminime radiologjike pas aksidenteve, indikacionin dhe llojin e ekzaminimit e përcaktojnë mjekët që janë të përfshirë në ofrimin e ndihmës dhe trajtimin e të lënduarve. Lloji më adekuat i ekzaminimit përcaktohet pas vlerësimit klinik të pacientit.