Mar, Tet 8, 2024
Banner Top
Banner Top
A janë tiket nervore një problem i zakonshëm i femijërisë?

Një djalë filloi të puliste kapakët e syve (hap e myll) kur ishte 5 vjec dhe disa muaj më pas filloi të kryente lëvizje jo rritmike të nofullës. Në moshën 7 vjeçare, pulitja e syve vazhdonte, ndërkohë që kryente edhe zhurmën e tërheqjes së hundëve dhe lëvizje të shpatullave. Në adoleshencë ai shfaqte të gjitha lëvizjet apo tiket e vjetra së bashku duke shtuar edhe shkundjen e dhunshme të kokës. Në moshën e fakultetit, shkundja e lehtë e kokës dhe një tendosje thuajse e padallueshme e muskujve të barkut qenë tiket e mbetura të cilat përkeqësoheshin gjatë periudhës së provimeve.   

Çfarë është një Tik?
Një tik është një lëvizje motore ose një vokalizim i papritur, i shpejtë, i përsëritur dhe jo-rritmik. Tiku mund të jetë, i thjeshtë (përfshin disa muskuj ose tingulli i thjeshtë) ose kompleks (përfshin grupe të ndyshëm muskujsh që futen «në lojë» në mënyrë të «orkestuar» ose fjalë ose fjali.

Çfare është sindroma Tourette?
Sindroma Tourette ose çrregullimi Tourette është një gjendje ku individi ka të pranishëm si tike motore edhe ato vokale për një farë kohë përgjatë zhvillimit të sëmundjes, të cilat dhe mund të mos ndodhin në të njëjtën kohë.  Që të ketë diagnozën Tourette fillimi i tikeve është përpara moshës 18 vjec. Shfaqja e tikeve nuk duhet të jetë si pasojë e efekteve të përdorimit të barnave apo prej ndonjë sëmundjeje fizike si p.sh infeksionet trunore pas gjendjeve virale (encefaliti post viral).

Cilat janë simptomat më të zakonshme të sindromës Tourette?Tiket janë simptomat më të zakonshme. Tiket në sindromën Tourette mund të jenë motore të thjeshta ose komplekse ose mund të jenë vokale të thjeshta apo komplekse. Pra, fëmija mund të shfaqë levizje të muskujve të syve, hundës, gojës, qafës, shpatullave, barkut, këmbëve, si veç e veç ashtu dhe në mënyrë të sinkronizuar.

Kush e diagnostikon sëmundjen Tourette?Tiket së pari mund t’í vënë re prindërit ose edukatorët e mësuesit e fëmijës. Po ashtu tiket mund të vihen re edhe nga mjeku pediatër i fëmijës apo mjeku i familjes në persona më të rritur. Nëse vihen re tike motore apo vokale tek një fëmijë, adoleshent apo adult do duhet të personi të dërgohet për vlerësim tek psikiatri per fëmijë dhe adoleshentë, apo edhe te neurologu. Një fakt i rëndësishëm për t’ú ditur nga profesionistët e shëndetit është se pacientët me tike mund të mos i kryejnë ato ndërsa vizitohen për herë të parë të mjeku, vecanërisht nëse mjeku nuk ia ndan sytë pacientit. Në këto raste këshilla e duhur është që historia e sëumundjes apo historia e zhvillimit (kur janë fëmijë) të merret nga burime të ndryshme, të kryhen më shumë sesa një vizitë dhe më e rëndësishmja, t’í kërkohet pacientit ose prindërve të tij/saj) një video e kryer në shtëpi, për të parë sjelljen e pacientit. Mjeku duhet të stërvitet të vëzhgojë pacientin edhe duke mos e parë direkt në sy, por ta ketë në fushën e shikimit edhe kur flet me prindin apo kur plotëson kartelën mjekësore.

Sa e shpeshtë është sindroma Tourette?
Sindroma Tourette: 3-8 në 1,000 fëmijë të moshës shkollore. Raporti djem/vajza 2:1 deri 4:1.  Tiket kalimtare prekin rreth 20% të gjithë fëmijëve të moshës shkollore

A është sindroma Tourette e njëjtë me çrregullimin e Tikeve?
Jo nuk janë e njëjta gjë ndonëse kanë të dyja prani të tikeve. Çrregullimi i tikeve karakterizohet nga prania e tikeve motore ose atyre vokale, që ndodhin gjatë kohës së sëmundjes, por jo njëkohësisht. Tiket e thjeshta ose komplekse mund të ndodhin pothuaj cdo ditë ose me ndërprerje për një periudhë për më shumë se 3 muaj të njëpasnjëshëm dhe që nuk plotëson kuadrin klinik të tikeve për Tourette.   

A është sindroma Tourette e trashëgueshme?
Tashmë janë identifikuar alele të rëndësishme dhe variante genike të rralla në familjet e atyre me crregullim tikesh dhe me Tourette.  Sindroma Tourette dhe crregullimi i tikeve kanë një trashëgueshmëri të lartë, madje ndër crregullimet neuropsikiatrike këto dy crregullime janë ndër më të trashëgushmet. 
Ndër faktorët ambjentalë, komplikimet obstetrike (pre, situata të vështira që lidhen me shtatzaninë  dhe lindjen), mosha e madhe e babait, pesha e vogël në lindje dhe pirja e duhanit gjatë shtatzanisë nga nëna janë të lidhura me përkeqësimin e tikeve.

Çfarë është koprolalia?
Koprolalia është një tik vokal kompleks. Ajo është një fjalë apo shprehje e beftë, e papërshtatshme nga ana sociale, që mund të përfshijë vulgaritete apo të folur të papërshtatshme apo të papranueshmë për kulturën apo besimet e një popullate të caktuar, pra siç themi ne në Shqipëri “fjalë të pista’’, ‘’fjalë turpi’’. Ky problem haset në 10% të individëve me çrregullim tikesh. 

A ndodh që ata me Sindromen Tourette  të kenë probleme të tjera përvec tikeve?
Po. Shpesh ndodh që Sindroma Tourette të lidhet me të tjera gjendje pervec se tiket (apo crregullime të bashkë-ndodhura). P.sh, një studim i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në USA (CDC) tregoi se 86% e fëmijëve që kishin qenë diagnostikuar me Tourette, po ashtu kishin një diagnozë tjetër të shëndetit mendor të lidhur me sjelljen ose me zhvillimin, bazuar në raporimin e prindërve. Këto gjendje të tjera që ndodhin së bashku më Sindromën Tourette, janë të renditura sipas rendit zbritës, nga më e shpeshta tek më pak e shpeshta: ADHD (hiperaktiviteti), crregullimi I sjelljes, probleme të ankthit, depresioni, autizmi, crregullime të të mësuarit, crregullime gjuhësore, crregullime zhvillimi, paaftësi intelektuale.

Kush e trajton sindromën Tourette dhe tiket? 
Sindromën Tourette e trajton psikiatri për fëmijë dhe adoleshentë ose psikiatri për të rritur pasi është një sidromë ku tiket i gjejmë edhe në moshen e adultit. Ndodh shpesh që fëmijët ose adultët me problem të lëvizjeve të paraqiten së pari te neurologu dhe pasi ky I fundit përjashton sëmundjet neurologjike që kanë simptoma të lëvizjes I referon këta pacientë tek psikiatri.

Si trajtohen Sindroma Tourette dhe tiket?
Lloji I trajtimit që do të marrin këta individë varet jo vetëm nga lloji I crregullimit, pra sindroma Tourette apo crregullim tikesh, por edhe nga ashpërsia e tikeve, lloji I tikeve që ata shfaqin dhe ndikimi që këto kanë në jetën e fëmijës apo adultit, momenti kur paraqiten te mjeku (në fazën akute apo në një fazë të qetë), prania ose jo e crregullimeve bashkë-shoqëruese që hasen së bashku me tiket. Pasi mjeku merr në konsidertatë rezultaten e tërë këtyre faktorëve përcakton si do të jetë menaxhimi i individit me tike, pra do futet në terapi medikamentoze apo do fillojë terapi psikologjike, apo do të fillojë të dy ndërhyrjet menjëhere. Duhet theksuar se terapia mendikamentoze lehtëson tiket por nuk i kuron ato (pra parandalon rishfaqjen e tyre).

Një person që ka Sindromen Tourette a është në gjendje të jetojë një jetë normale? 
Fillimi i tikeve është tipikisht në intervalin moshor 4-6 vjec. Ka një rëndesë në moshat 1-12vjec, me një rënie të kësaj rëndëse gjatë adoleshencës. Shumë adultë me çrregullim tikesh përjetojnë simptoma minimale. Një grup fare i vogël individësh do të përjetojnë simptoma të rënduara apo përkeqësim të tyre gjatë adultërisë.
Një individ me tike është në gjendje të kryejë një jetë normale, madje mund të mos jenë në gjendje t’i vënë re tiket e tyre. Kryerja e tikeve bëhet sipas një modeli të ngjashëm përgjatë jetës, ato përkeqësohen dhe lehtësohen apo ndryshojnë muskujt që prekin më kalimin e kohës. 
Por në ata persona me tike të theksuara kanë më shumë pengesa në të përditshmen e tyre, por gjithësesi mund të funksionojnë për bukuri. Vetë prania e sindromës Tourette nuk shkakton dizabilitet.

Po studentët me Sindromen Tourette a kanë nevojë për edukim special?
Kujdes! Tiket mund të përkeqësohen nga ankthi, entuziazmi dhe lodhja e tepërt dhe mund të lehtësohen në kushte qetësie e rrjedhe të paqtë të aktivitetit që i duhet të kryeje individi.  Individët mund të kenë më shumë tike kur merren me detyrat e shkollës dhe të shtëpisë, sesa kur janë në qetësi në ambjentin e tyre në mbrëmje. Aktivitetet sociale dhe aktivitetet që bartin emocion mund t’i përkeqësojnë tiket. Në lidhje me edukimin special gjithmonë ka nevojë për seanca psikologjike sqaruese me personat me këto diagnoza. Njohja e diganozës së tyre, ecurisë së saj, faktorëve lehtësues dhe përkeqësues të tikeve janë një sërë çështjesh që duhen sqaruar me se s’bën. Seancat psikologjike për pacientët do duhet të kenë në fokus mësimin e teknikave lehtësuese të aspektit emocional, mësimin e teknikave më të mirë përshtatura të sjelljes për këta individë nëpër ambjentet e ndryshme dhe përgjatë aktiviteteve të larmishme që mund t’í duhet të kryejnë përgjatë jetës.  Ndërkohë seancat psikologjike për familjarët e tyre janë një domosdoshmëri që ka për synim të rregullojë përqasjen e tyre me tiket e fëmijës/adultit dhe modifikimin pozitiv të sjelljes kundrejt tyre. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë