Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj të miturit i cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur gjatë së shtunës.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi në një përgjigje për Telegrafin.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast”, ka thënë Gashi.
Ajo ka shtuar se ndaj personit tjetër të arrestuar për këtë rast, pritet që të merret vendimi sot në seancën dëgjimore që do të mbahet në orën 13:00.
“Ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të rënda sot ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit edhe për një të pandehur, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, seanca dëgjimore do të mbahet sot në ora 13:00”, u shpreh Gashi.
Pesë persona dyshohet se të shtunën nga ora 17:30 deri në orën 00:30 kanë dhunuar një të mitur.
Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës, e cila përmes raportit 24 orësh njoftoi që janë arrestuar dy të dyshuar lidhur me këtë ngjarje.
Ndërkaq, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj në një përgjgije për Telegrafin, bëri të ditur se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të arrestuarve.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka deklaruar Ulaj.
Ulaj po ashtu ka thënë se ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante.
Tutje ka shtuar se meqë rasti ka të bëjë me procedurë për të mitur, nuk mund të jepen informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë./Telegrafi/