Mësuesit dhe nxënësit e vaksinuar nuk kanë nevojë të mbajnë maska brenda shkollave, thanë të premten Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve duke lehtësuar udhëzimet për COVID-19.
Ndryshimet vijnë mes një fushate kombëtare për vaksinimin e fëmijëve 12 vjeç e lart, si edhe një rënieje të përgjithshme të shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga COVID-19.
“Jemi në një faze të re të pandemisë për të cilën të gjithë jemi vërtet të entusiazmuar”, dhe kështu është koha për të ndryshuar udhëzimet, tha Erin Sauber-Schatz, e cila drejton grupin e punës së CDC-së që përgatit rekomandimet që kanë si qëllim t’i mbajnë amerikanët të sigurt.
Agjencia kryesore e shëndetit publik e vendit nuk po i udhëzon shkollat t’i bëjnë të detyrueshme vaksinat për mësuesit dhe fëmijët. Po ashtu nuk po ofron udhëzime se si ta dinë mësuesit se cilët nxënës janë vaksinuar ose se si do ta dinë prindërit se cilët mësues janë imunizuar.
Kjo ndoshta do të paraqesë disa vështirësi në ambientet shkollore, tha Elizabeth Stuart, një profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin John Hopkins, e cila ka fëmijë në shkollat fillore dhe tetëvjeçare.
“Do të ishte një dinamikë e pazakontë nga ana shoqërore, të kesh disa fëmijë që mbajnë maska dhe disa jo. Mësuesit nuk duhet të jenë të detyruar të mbajnë nën kontroll se cilët fëmijë duhet të kenë maska,” tha ajo.
Një tjetër problem i mundshëm: CDC thotë se shkollat duhet të vazhdojnë të lënë një metër distancë për fëmijët – dhe tryezat e tyre. Por agjencia theksoi se distanca nuk duhet të jetë pengesë për kthimin e fëmijëve në shkolla. Dhe distancimi nuk kërkohet midis studentëve ose personelit të vaksinuar plotësisht.
Kjo mund të jetë e vështirë për t’u zbatuar, dhe kjo është arsyeja pse CDC-ja po këshillon shkollat të marrin vendime të arsyeshme, tha zonja Sauber-Schatz.
Pikëpyetjet më të mëdha do të jenë në shkollat tetëvjeçare ku disa nxënës kanë të drejtë të vaksinohen dhe të tjerët jo. Nëse klasifikimi i studentëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar rezulton shumë i vështirë, administratorët mund të zgjedhin të ndjekin vetëm një politikë të mbajtjes së maskës nga të gjithë.
“Udhëzimi është shkruar me të vërtetë për të lejuar fleksibilitetin në nivelin lokal,” tha zonja Sauber-Schatz.
Në të vërtetë, në disa prej distrikteve shkollore më të mëdha të vendit, mbajtja e maskave pritet të vazhdojë këtë vjeshtë. Në shkollat publike të Detroitit, të gjithë do të kërkohet të mbajnë maskë nëse nuk janë vaksinuar të gjithë nxënësit e një klase. Filadelfia do të kërkojë që të gjithë studentët dhe personeli i shkollës publike të mbajnë maska brenda ndërtesave, edhe nëse janë vaksinuar. Por maskat nuk do të jenë të detyruara në shkollat e Hjustonit.
Po përsa i takon bërjes të detyruar të vaksinimit për COVID-19 si kusht i vazhdimit të shkollës? Kjo bëhet zakonisht në të gjithë vendin për të parandaluar përhapjen e fruthit dhe sëmundjeve të tjera.
CDC-ja të premten nuk e rekomandoi atë masë sepse konsiderohet një vendim që u takon autoriteteve lokale, thanë zyrtarët e CDC.
Në fillim të pandemisë, zyrtarët shëndetësorë ishin të shqetësuar se shkollat mund të bëhen vatra të koronavirusit që shkaktojnë përhapje në komunitet. Por studimet kanë treguar se në shkolla shpesh ka shpesh më pak transmetim sesa në komunitetit përreth tyre, kur ndiqen disa masa parandaluese.
Udhëzimi i ri është rishikimi i fundit i udhëzimeve të CDC-së për shkollat.
Në mars, CDC-ja e hoqi rekomandimin që fëmijët dhe bankat e tyre të ishin të vendosura 2 metra larg, duke zvogëluar distancën në 1 metër.
Në maj, agjencia tha se amerikanët në përgjithësi nuk kanë nevojë të jenë aq striktë në lidhje me maskat dhe distancimin në ambjente të hapura, dhe se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë për maska në shumicën e situatave. Ky ndryshim u përfshi në udhëzimet e rishikuara për kampe verore – dhe tani edhe shkollat.
Becky Pringle, presidente e Shoqatës Kombëtare të Arsimit, e quajti udhëzimin e ri të CDC-së “një udhërrëfyes të rëndësishëm për uljen e rrezikut të COVID-19 në shkolla”.
Ajo shtoi: “Shkollat duhet të përdorin në mënyrë të vazhdueshme dhe rigoroze të gjitha strategjitë e rekomanduara të frenimit, përfshirë mbajtjen e maskave në të gjitha mjediset ku ka individë të pavaksinuar të pranishëm, dhe sigurimin e ventilimit të duhur, larjes së duarve dhe pastrimit.”
Sekretari i Arsimit, Miguel Cardona u angazhua të punojë me shkollat.
“Ne e dimë se të mësuarit në klasa ofron mundësi jetike për të gjithë nxënësit për të zhvilluar marrëdhënie të shëndetshme me arsimtarët dhe bashkëmoshatarët, dhe se nxënësit sigurojnë mbështetje kritike në shkollë për mirëqenien e tyre sociale dhe emocionale, shëndetin mendor dhe suksesin akademik”, tha ai në një deklaratë./voa/