Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Vdekja e lehonës 24 vjeçare, drejtori i Klinikës së Neonatologjisë thotë se gjendja e foshnjës është stabile

Një 24 vjeçare lehonë e infektuar me COVID-19 ka vdekur të enjten në Mjekimin Intensiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore me frymëmarrjen, mjekët ishin detyruar ta operojnë.

Mirëpo sa i përket gjendjes shëndetësore të foshnjës, drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se foshnja aktualisht është në gjendje stabile.

Ai tha se foshnja është dërguar menjëherë në kujdesin intensiv, pasi ka pasur nevojë për përkrahje për shkak të problemeve me frymëmarrje.

“Foshnja ka lind në orën 23:00, me peshën 2.360 gramë. Ka lind para kohe, 36 javësh por menjëherë është dërguar në kujdesin intensiv në hapësirën e veçantë ku trajtohen foshnjat në Klinikën e Neonatologjisë, që ka pasur nevojë për përkrahje për shkak të problemeve me frymëmarrje dhe në antibioterapi. Për momentin foshnja është në gjendje stabile në Klinikën e Neonatologjisë”, ka thënë Gojnovci.

Ndërkaq, më datë 23 mars, një lehonë kishte vdekur si pasojë e coronavirusit, ndërkaq më herët është raportuar edhe për disa të tjera.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar të enjten se janë regjistruar edhe 12 viktima nga coronavirusi.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Vushtrri 3 raste, Gjakovë 2, Podujevë 2, Lipjan 1, Prishtinë 1, Prizren 1, Skenderaj 1 dhe Suharekë 1 rast“, thuhet në njoftim.

Sipas raportit të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit është bërë testimi i 5.502 mostrave dhe në bazë të rezultateve janë shënuar edhe 871 raste të reja me COVID-19.

Elfije Boletini, Telegrafi

Youtube

Arkiva

Kategoritë