Shkrim nga: Blerim Myftiu, Neurolog
Komiteti i Sigurimit (PRAC) i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) ka rekomanduar që “tromboza e pazakonshme të gjakut me numër të ulët të trombociteve” të shënohen ndër efektet e rralla anësore të vaksinës së prodhuar nga Astra-Zeneca ndaj koronavirusit të ri (SARS-CoV-2). Meqenëse trombozat trunore dhe ato në bark janë zhvilluar zakonisht brenda 2 javësh nga vaksinimi me këtë lloj të vaksinës, Komiteti u rekomandon të vaksinuarve që të jenë vigjilentë ndaj simptomave dhe ndryshimeve trupore gjatë 14 ditëve pas vaksinimit.
Ekspertët e EMA-s kanë arritur në këtë përfundim pas analizimit të 62 rasteve të trombozës venoze trunore dhe 24 rasteve të tjera të trombozës së venave të barkut, të raportuar në shtetet e BE-së deri me 22 mars, 18 prej të cilave kanë qenë fatale. Megjithatë, Agjencia bën të ditur se ky numër rastesh të trombozës me numër të ulët të trombociteve nga 25 milionë të vaksinuar në BE dhe Britani të Madhe, e bën këtë dukuri të jetë shumë e rrallë, prandaj theksohet se dobia e vaksinimit në parandalimin e zhvillimit të Covid-19 është shumë e lartë.
Shenjat trupore të cilat bëjnë të dyshohet për trombozë trunore dhe/apo të barkut, pas të cilave të duhet të kërkohet ndihma mjekësore janë:- Vështirësia në frymëmarrje- Dhembja në gjoks/kraharor- Ënjtja e njërës këmbë apo e të dyja këmbëve- Dhembja e vazhdueshme e barkut- Simptoma neurologjike, si kokëdhembja intensive dhe e vazhdueshme apo turbullimi i të parit- Pikat e vogla të kuqe nën lëkurë