Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se rreth 300 persona – që janë kryesisht personel shëndetësor – janë vaksinuar gjatë ditës së sotme.
“Sot vaksinimi është zhvilluar në dy qendra të vaksinimit – në Sallën 1 Tetori ku janë vaksinuar punëtorët e kujdesit parësor shëndetësor të Komunës së Prishtinës dhe qendra e dytë e vaksinimit ka qenë Klinika Infektive ku janë vaksinuar personeli shëndetësor i Klinikës Infektive dhe një numër i konsideruar i shërbimeve të tjera që kryejnë punë në Klinikën Infektive. Deri në ora 14:00 në Klinikën Infektive kanë qenë rreth 100 persona të vaksinuar, derisa deri në orën 14:00 në Sallën 1 Tetori mbi 100 persona. Mund të themi se sot diku nga 250-300 persona, kryesisht personel shëndetësor, i janë nënshtruar procesit të marrjes së dozës së parë të vaksinës kundër COVID-19”.