Altina Marmullaku
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, është realizuar kampanja vetëdijësuese “Spo du lule” . Një kampanjë e cila synon të përcjell një mesazh tek audienca për nder të ditës së 8 Marsit
Disa nga mesazhet që përcjellën gjatë kësaj kampanje janë:
- “S’po du lule, po du mu vesh qysh du”!
- “S’po du lule, bone dreken”!
- “S’po du lule, po du me u pagu njejt sa kolegu jem”!
- “S’po du lule, po du respekt”!
- “S’po du lule, po du qetësi”!
Çfarë do të thotë sllogani “Spo du lule” dhe çfarë mesazhi synon të e përcjell tek audienca, të gjitha këto i tregon njëra nga pjesëmarrëset e kësaj kampanje, Vesa Bujupaj për portalin Familja Jonë.
Kampanja “S’po du lule” ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë kosovare për pozitën e gruas në vendin tonë, ndërsa koncepti synon që të përcjell mesazh që shoqëria lulëzonë vetëm atëherë kur gratë janë pjesë e vendimmarrjes.
“S’po du lule” është një koncept për ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë kosovare për pozitën e gruas në vendin tonë. Me anë të këtij koncepti ne kemi dashur që të përcjellim mesazhin se në fakt shoqëritë lulëzojnë vetëm atëherë kur gratë janë pjesë e vendimmarrjes po aq sa janë edhe burrat. Është pra një video e shkurtër, me porosi të thjeshtë përmes së cilës ne kemi thënë se do të jemi zë i fuqishëm i vetes deri në arritjen e qëllimeve tona për barazi”, shprehet Vesa Bujupaj.
Ajo thotë se 8 Marsi sipas saj është njëra ndër datat më të rëndësishme të shoqërisë, duke synuar të garantojë barazinë gjinore në çdo fushë të jetës
“8 Marsi është një nga datat më të rëndësishme të çdo shoqërie, e cila me të vërtetë synon që të garantojë barazinë gjinore në çdo fushë të jetës, si premisë kyçe për zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror. Kjo ditë shfrytëzohet nga gratë por dhe burra në vende të ndryshme të botës për të reflektuar për sfidat me të cilat përballen gratë por edhe për të kremtuar arritjet që janë bërë përgjatë historisë, falë kurajos dhe guximit të grave për të luftuar për të drejtat e tyre”, thotë Vesa për portalin Familja Jonë.
Ndërsa shton tutje se në Kosovë, mbetet punë e madhe për të përmisuar pozitën e gruas në shoqëri, e kjo ditë është përkujtimi i nevojës që të jemi të palëkundur deri në arritjen e qëllimeve tona.
“Në Kosovë, ku mbetet punë e madhe për t’u bërë për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqëri, kjo ditë na përkujton pikërisht nevojën që të jemi të palëkundur deri në arritjen e qëllimeve tona, që në shumë raste janë të drejta bazike të njeriut, siç janë të drejta në trashëgimi, të drejta në paga të dinjiteshme dhe të barabarta me burrat, siguri nga dhuna në familje dhe shoqëri, e të tjera”.
Ky 8 Mars e gjen Kosovën me më shumë gra të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, shumica nga to të zgjedhura pa kuotë gjinore, ndërsa ky rezultat vjen si përpjekje e grave për të avancuar pozitën e tyre, thotë Vesa.
“Pra, 8 Marsi është edhe një ditë shtesë në angazhimet tona ditore për të ngritur vetëdijen lidhur me nevojën për barazi gjinore si parakusht për zhvillim të mirëfilltë. Duhet thënë se ky 8 Mars e gjen Kosovën me më shumë gra të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, shumica nga to të zgjedhura pa kuotë gjinore, dhe një gjë e tillë vjen si rezultat i përpjekjeve të grave për të avancuar pozitën e tyre”. /FamiljaJonë/