Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), pas raportimit të 392 rasteve pozitive me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, vlerëson se numri i të infektuarve vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës, si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
IKSHPK thotë se “duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, sot kemi regjistruar 392 raste pozitive dhe rritje te rasteve të hospitalizuara. Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore”.
Sipas IKSHPK numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, thuhet në njoftim.
Në veçanti, IKSHPK bën thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë”.
“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.