Kapsllëku është një nga problemet më të shpeshta të tretjes te fëmijët. Ai mund të shfaqet në mosha të ndryshme dhe shpesh lidhet me ndryshimet në ushqyerje, konsumimin e pamjaftueshëm të lëngjeve ose zakonet e jashtëqitjes. Megjithatë, kur bëhet i vazhdueshëm, mund të shkaktojë dhimbje, parehati dhe frikë nga shkuarja në tualet.
Një fëmijë mund të ketë kapsllëk jo vetëm kur kryen jashtëqitjen rrallë, por edhe kur jashtëqitja është e fortë, e thatë dhe shoqërohet me dhimbje ose vështirësi gjatë defekimit.
Cilat janë shenjat e kapsllëkut te fëmijët?
Disa nga shenjat më të zakonshme përfshijnë:
- Më pak se tri jashtëqitje në javë.
- Jashtëqitje të forta dhe të thata.
- Dhimbje barku ose fryrje.
- Sforcim dhe dhimbje gjatë jashtëqitjes.
- Mbajtje të qëllimshme të jashtëqitjes, për shkak të frikës nga dhimbja.
- Njolla të jashtëqitjes në të brendshmet e fëmijës, si pasojë e grumbullimit të saj në zorrë.
Pse shfaqet kapsllëku te fëmijët?
Një nga shkaqet më të zakonshme është ushqyerja me pak fibra, veçanërisht kur fëmija konsumon pak fruta, perime dhe drithëra integrale.
Kapsllëku mund të shfaqet edhe gjatë kalimit nga ushqyerja me qumësht në ushqime të ngurta, gjatë trajnimit për përdorimin e tualetit ose kur fëmija fillon të shmangë jashtëqitjen për shkak të një përvoje të mëparshme të dhimbshme.
Në disa raste, ai mund të lidhet edhe me faktorë të tjerë shëndetësorë, si hipotiroidizmi, sëmundja celiake ose probleme të tjera që ndikojnë në funksionimin e sistemit tretës.
Kur duhet të kërkohet ndihmë mjekësore?
Nëse kapsllëku vazhdon, përsëritet shpesh ose ndikon në ushqyerjen dhe aktivitetet e përditshme të fëmijës, rekomandohet konsultimi me pediatrin.
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet simptomave si gjaku në jashtëqitje, dhimbjet e vazhdueshme të barkut, të vjellat, fryrja e theksuar e barkut dhe humbja e peshës. Nëse fëmija ka të vjella të gjelbra, bark shumë të fryrë ose dhimbje të forta, nevojitet vlerësim urgjent mjekësor.
Si mund të parandalohet kapsllëku?
Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët duke përfshirë në ushqyerjen e tyre fruta, perime dhe ushqime të pasura me fibra, duke u ofruar ujë gjatë ditës dhe duke nxitur aktivitetin fizik.
Gjithashtu, krijimi i një rutine të rregullt për shkuarjen në tualet, veçanërisht pas vakteve, mund të ndihmojë në parandalimin e kapsllëkut.
Është e rëndësishme që fëmijët të mos ndëshkohen apo qortohen kur kanë vështirësi me jashtëqitjen. Kapsllëku është një problem shëndetësor që kërkon mirëkuptim dhe, në disa raste, trajtim të përshtatshëm nga mjeku.













