Shkencëtarët nga Universiteti i Nottinghamit në Mbretërinë e Bashkuar kanë zhvilluar një material të ri në formë xheli, i cili mund të ndihmojë në riparimin dhe rigjenerimin e smaltit të dëmtuar të dhëmbëve.
Zbulimi mund të hapë rrugë për trajtime të reja dentare, pasi smalti, shtresa e jashtme që mbron dhëmbët, nuk ka aftësi të rigjenerohet natyrshëm pasi humbet.
Xheli i zhvilluar nga studiuesit përmban një material me bazë proteinash, i cili imiton proceset natyrore përmes të cilave formohet smalti gjatë zhvillimit të dhëmbëve.
Kur aplikohet në sipërfaqen e dhëmbit, materiali krijon një shtresë që tërheq kalciumin dhe fosfatin, dy minerale që gjenden natyrshëm në pështymë. Këto minerale ndihmojnë në formimin e kristaleve të reja, duke rindërtuar gradualisht strukturën e smaltit.
Sipas studiuesve, testet laboratorike treguan se smalti i rigjeneruar kishte veti mekanike të krahasueshme me smaltin natyror, edhe pas ekspozimit ndaj faktorëve të përditshëm si larja e dhëmbëve, përtypja dhe ushqimet acide.
Materiali mund të përdoret edhe në sipërfaqet e ekspozuara të dentinës, shtresa që gjendet nën smaltin e dhëmbëve. Kjo mund të ndihmojë në trajtimin e ndjeshmërisë ndaj ushqimeve dhe pijeve të nxehta, të ftohta apo të ëmbla.
Hulumtimi, i udhëhequr nga profesori Alvaro Mata, është publikuar në revistën shkencore Nature Communications në nëntor të vitit 2025.
Megjithatë, teknologjia ende nuk është një trajtim rutinë në ordinancat dentare. Nevojitet zhvillim dhe vlerësim i mëtejshëm klinik për të përcaktuar sigurinë dhe efektivitetin e saj te pacientët.













