Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit me temën “Shëndeti mendor”, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me UNICEF-in, ku është diskutuar për mirëqenien dhe mbështetjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka theksuar se shëndeti mendor duhet të jetë pjesë e rëndësishme e politikave shtetërore, duke vlerësuar se zhvillimi i vendit dhe i kapitalit njerëzor nuk mund të trajtohet pa marrë parasysh mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve.
Ai ka nënvizuar se përgjegjësia për shëndetin mendor nuk i takon vetëm një institucioni apo sektori, por kërkon bashkëpunim të koordinuar ndërmjet institucioneve shëndetësore, sociale, arsimore dhe aktorëve të tjerë.
“Shëndeti mendor nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori apo një institucioni. Ai lidhet me shëndetin, me mjedisin ku jetojnë fëmijët, me familjet ku rriten ata, me shërbimet sociale dhe shëndetësore që i mbështesin, me sigurinë, komunitetin ku jetojnë dhe me mundësinë që të krijojnë për ta. Pikërisht për këtë arsye sot jemi së bashku përfaqësues të sektorëve dhe institucioneve të ndryshme dhe përgjigjja jonë po ashtu duhet të jetë sa më e integruar”, është shprehur Kurti.
Kryeministri ka përmendur edhe disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria gjatë mandatit të saj, ndër to shtesat për fëmijët, mbështetjen financiare për nënat lehona, programin e intervenimit të hershëm për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe mundësitë për fuqizimin dhe punësimin e të rinjve.
Duke folur për zhvillimet në fushën e mirëqenies së fëmijëve, Kurti ka bërë të ditur se vdekshmëria neonatale ka shënuar rënie prej 27 për qind që nga viti 2020, ndërsa përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm është më shumë se dyfishuar.
Në këtë kontekst, ai ka rikujtuar edhe lansimin, në muajin gusht, të raportit “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, të realizuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Sipas Kurtit, raporti paraqet një pasqyrë të gjendjes aktuale dhe përmban rekomandime për përmirësimin dhe zgjerimin e shërbimeve të shëndetit mendor në vend.
Ai ka bërë të ditur se pas publikimit të raportit ka kërkuar nga UNICEF-i organizimin e një takimi të përbashkët, me qëllim të diskutimit të gjetjeve dhe përcaktimit të hapave konkretë për avancimin e kësaj fushe.
“Pas lansimit, nga UNICEF-i kam kërkuar që të mblidhemi përsëri për të reflektuar së bashku mbi gjetjet, për të diskutuar në thelb rekomandimet dhe mbi të gjitha për t’i përcaktuar hapat që duhet t’i ndërmarrim si shtet për të avancuar agjendën e shëndetit mendor në Kosovë. Prandaj, takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi. Tashmë kemi një dokument të qartë për t’i kuptuar sfidat dhe nevojat. Përgjegjësia jonë është të përcaktojmë se ku duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona, cilat masa kërkojnë veprim prioritar dhe si mund të punojmë për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm e më të qasshëm për mbështetjen e shëndetit mendor”, ka deklaruar Kurti.













