Mër, Nën 4, 2026
Banner Top
Banner Top
Ngulfatja nga trupat e huaj: 26 raste të trajtuara në QKUK gjatë viteve 2025 dhe 2026

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë viteve 2025 dhe 2026 janë regjistruar gjithsej 26 raste të largimit të trupave të huaj nga rrugët e frymëmarrjes.

Sipas të dhënave të Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL) dhe Klinikës së Pulmologjisë, gjatë vitit 2025 janë evidentuar 10 raste, ndërsa në vitin 2026, deri në përditësimin e fundit të evidencave, janë regjistruar edhe 16 raste të tjera.

Ndër trupat e huaj të aspiruar dominojnë pjesët e kikirikëve, lajthive, farat dhe materiale të tjera. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve përfshin fëmijët e vegjël, veçanërisht ata të moshës parashkollore.

Pulmologu Besim Morina thotë se aspirimi i trupave të huaj në rrugët e frymëmarrjes është një problem me të cilin përballen mjekët e disa specializimeve dhe që, në raste të caktuara, mund të shkaktojë komplikime serioze.

Megjithatë, sipas tij, në shumicën e rasteve trupat e huaj arrijnë të largohen përmes ndërhyrjeve mjekësore dhe rastet nuk përfundojnë me pasoja fatale.

Morina paralajmëron se jo gjithmonë pacientët e kuptojnë se kanë aspiruar një trup të huaj. Në disa raste, simptomat shfaqen shumë më vonë, ndërsa problemi zbulohet vetëm pas ekzaminimeve të mëtejshme, përfshirë bronkoskopinë dhe endoskopinë.

“Jo gjithmonë jemi të vetëdijshëm për një trup të huaj të aspiruar. Kemi pasur raste kur njerëzit kanë aspiruar një trup të huaj dhe, pas një kohe, gjatë ekzaminimeve të ndryshme, bronkoskopisë apo endoskopisë, është vërejtur një trup i huaj që ishte aspiruar shumë më herët. Në ato raste kemi kollë rezistente dhe ngacmuese, një kollë që nuk tërhiqet, pastaj kanë edhe fishkëllimë në gjoks”, shpjegon Morina.

Sipas tij, nëse trupi i huaj qëndron për një kohë të gjatë në rrugët e frymëmarrjes, mund të shkaktojë infeksione të përsëritura dhe dëmtime që ndikojnë në funksionimin normal të tyre.

“Shumica e trupave të huaj, nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë, mund të shkaktojnë probleme, si pneumoni kronike, qelbëzim dhe ndryshime në rrugët e frymëmarrjes, duke bërë që ato të ngushtohen ose të pësojnë dëmtime. Këto mund të shkaktojnë edhe pasoja afatgjata”, thotë ai.

Vëmendje të veçantë, Morina kërkon për fëmijët e vegjël dhe personat e moshuar, të cilët konsiderohen më të rrezikuar nga aspirimi i trupave të huaj.

“Sidomos te fëmijët e vegjël duhet të kemi kujdes të veçantë, por edhe te moshat e vjetra, sepse edhe në vendin tonë të moshuarit preken nga sëmundje të tjera neurodegjenerative, si Alzheimeri dhe skleroza, të cilat ndikojnë që ata të mos jenë mjaftueshëm të vetëdijshëm”, thekson Morina.

Përveç trajtimit mjekësor, në rastet e ngulfatjes vendimtare është edhe ndërhyrja e parë. Armend Shala nga Kryqi i Kuq shpjegon se hapi i parë është ruajtja e qetësisë dhe vlerësimi i gjendjes së personit, pasi mënyra e reagimit varet nga shkalla e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes dhe gjendja e të prekurit.

Ai shpjegon procedurat që duhet të ndiqen kur personi është i vetëdijshëm, por nuk arrin të marrë frymë për shkak të ngulfatjes, si dhe veprimet që duhen ndërmarrë në rastet kur personi humb vetëdijen. Shala ndalet edhe te rastet e veçanta, përfshirë ndërhyrjen te gratë shtatzëna.

Për të shmangur situata të tilla, rëndësi të madhe ka edhe parandalimi. Nutricionistja Urata Rexhepi thotë se disa ushqime paraqesin rrezik më të madh për ngulfatje, veçanërisht te fëmijët dhe grupet e tjera të ndjeshme.

Sipas saj, rreziku nuk lidhet vetëm me llojin e ushqimit, por edhe me mënyrën se si konsumohet. Për këtë arsye, ajo rekomandon që ushqimi të hahet ngadalë dhe gjithmonë në pozitë ulur.

Sa u përket fëmijëve, Rexhepi thekson rëndësinë e krijimit të një raporti të shëndoshë me ushqimin dhe të përshtatjes së procesit të të ushqyerit me moshën dhe nevojat e tyre.

Të dhënat e QKUK-së dhe paralajmërimet e profesionistëve tregojnë se aspirimi i trupave të huaj është një rrezik që nuk duhet nënvlerësuar. Një moment i pakujdesshëm gjatë ushqyerjes mund të shndërrohet në emergjencë mjekësore, ndërsa pasojat mund të shfaqen edhe shumë kohë pas incidentit.

Prandaj, përzgjedhja dhe përgatitja e kujdesshme e ushqimit, mbikëqyrja e fëmijëve gjatë ngrënies dhe njohja e hapave të ndihmës së parë në rast të ngulfatjes janë thelbësore për parandalimin e komplikimeve dhe shpëtimin e jetës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë