Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC), Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK) dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS) u kanë bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve, pas rritjes së rasteve me fruth në Kosovë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), nga 16 prilli deri më 1 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 269 raste me fruth, ndërsa 27 prej tyre janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
Në një komunikatë të përbashkët për media, këto organizata kanë theksuar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë ndërlikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Shqetësim përbën edhe rënia e mbulueshmërisë me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR). Sipas të dhënave të prezantuara në komunikatë, mbulueshmëria ka rënë nga 95 për qind në vitin 2019, në 89 për qind në vitin 2024 dhe 82 për qind në vitin 2025.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që mbulueshmëria me dy doza të vaksinës kundër fruthit të arrijë dhe të ruhet në nivelin prej të paktën 95 për qind në çdo komunitet, me qëllim parandalimin e shpërthimeve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
KOMF, AMC, PRAK dhe IEJL-PShS u kanë bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen se ata i kanë marrë të gjitha dozat e rekomanduara sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit. Për fëmijët që nuk i kanë marrë të gjitha dozat, organizatat rekomandojnë paraqitjen në qendrat e mjekësisë familjare për këshillim dhe vaksinim plotësues.
Organizatat kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e komunikimit të hapur ndërmjet profesionistëve shëndetësorë dhe prindërve, duke vlerësuar se shqetësimet dhe pyetjet rreth vaksinimit duhet të trajtohen përmes informacionit të bazuar në dëshmi shkencore.
Në këtë kontekst, ato i janë referuar edhe vlerësimit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar në shtator 2026, i cili rikonfirmon se nuk ka dëshmi shkencore që mbështesin një lidhje shkakësore ndërmjet vaksinave, përfshirë vaksinën MMR, dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit.
Në fund, katër organizatat kanë vlerësuar përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë, IKShPK-së, komunave dhe profesionistëve shëndetësorë për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet dhe familjet për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim.
“Vaksinimi është një nga ndërhyrjet më të sigurta dhe më efektive për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit. Çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit”, thuhet në komunikatë.













