Hën, Tet 5, 2026
Banner Top
Banner Top
Trauma, kujtesa dhe shërimi: Si vazhdon lufta të jetojë te ne edhe pas 27 vitesh?

“Trauma, Kujtesa dhe Shërimi” është tema e emisionit “Familja Jonë” këtë të diel, ku të ftuara janë Donika Shahini-Lami, gazetare e luftës dhe psikologe klinike, dhe Antigona Qenaj Sejdiu, psikologe klinike.

Përmes rrëfimeve personale dhe këndvështrimit profesional, emisioni trajton mënyrën se si trauma e luftës mund të mbetet e pranishme edhe shumë vite pas përfundimit të saj, si mund të rikthehet përmes kujtesës dhe ngjarjeve të së tashmes, si dhe ndikimin që ajo mund të ketë te brezat e rinj dhe te familja.

Donika Shahini-Lami rrëfen për përvojat e saj gjatë raportimit të luftës dhe për momentet që, edhe më shumë se dy dekada më vonë, vazhdojnë ta prekin emocionalisht. Ajo flet për masakrat që ka raportuar, për dy fëmijë të vrarë, një grua shtatzënë dhe bashkëshortin e saj, ngjarje që, siç tregon, kanë lënë gjurmë të thella në të.

Një prej kujtimeve që ajo veçon është momenti kur, gjatë raportimit në kompleksin e familjes Jashari, gjeti fletoren e një fëmije. Ajo rrëfen edhe për vizatimin e Kushtrimit, 13-vjeçarit të familjes Jashari, një natyrë e qetë në të cilën mungon dielli, e cila sot është pjesë e Reporting House.

Shahini-Lami kujton edhe muajt pas luftës, kur shkonte çdo ditë në Krushë të Madhe dhe hynte shtëpi më shtëpi me të njëjtën fjali: “Zoti iu lëhtë shëndosh”. Ajo flet për njerëzit që, pas luftës, kishin nevojë për një dorë ndihme, por që shpesh ajo dorë mungoi.

Një tjetër pjesë e rrëfimit lidhet me 20 videokaseta që ajo i kishte marrë pas luftës dhe që ia dhuroi qeverisë së përkohshme me shpresën se do të mblidheshin dëshmitë dhe do të dokumentohej e vërteta e luftës. Sot, ajo thotë se e ndjen “në palcë” se nuk është bërë aq sa është dashur për dokumentimin e asaj periudhe.

Në emision flitet edhe për rikthimin e traumës përmes ngjarjeve të së tashmes. Vendimet e Gjykatës Speciale dhe diskutimet që lidhen me to, sipas rrëfimit të Shahini-Lamit, kanë rikthyer kujtime dhe dhimbje te njerëzit që e kanë përjetuar luftën. Në këtë kontekst shtrohet edhe pyetja se si duhet t’u flasim fëmijëve për luftën dhe për zhvillimet që lidhen me të, pa ua bartur atyre traumën e brezit paraprak.

Pjesë e rëndësishme e emisionit është edhe trauma e dhunës seksuale gjatë luftës. Antigona Qenaj Sejdiu flet për një të mbijetuar që ende fle në të njëjtin shtrat ku ishte dhunuar gjatë luftës, duke treguar se si trauma mund të mbetet e lidhur me hapësira, kujtime dhe përvoja konkrete edhe pas shumë vitesh. Ajo trajton edhe ndjenjën e fajit që shpesh e bartin të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke ngritur pyetjen pse viktimat mund ta fajësojnë veten për atë që u është bërë.

Psikologet flasin gjithashtu për vështirësinë që kemi për të shprehur emocionet. “Kam frikë”, “jam i lënduar” apo “nuk jam mirë” janë fjali që shpesh mbeten të pathëna, për shkak të turpit, frikës apo mënyrës se si jemi mësuar t’i përballojmë emocionet.

Por trauma nuk prek vetëm personin që e ka përjetuar drejtpërdrejt. Në emision diskutohet edhe ndikimi i traumës së patrajtuar te familja dhe mënyra se si pasojat mund të përhapen te marrëdhëniet familjare dhe te brezat e ardhshëm.

A mund të shërohemi nga trauma? Kjo është një nga pyetjet kryesore të emisionit. Përgjigjet e psikologeve e zhvendosin diskutimin nga heshtja dhe shmangia drejt nevojës për të folur, për të kërkuar ndihmë dhe për t’u përballur me përvojat që kanë mbetur të patrajtuara.

“Trauma, Kujtesa dhe Shërimi” sjell kështu një bisedë për luftën jo vetëm si ngjarje të së kaluarës, por edhe për mënyrën se si ajo vazhdon të jetojë në kujtesë, në familje dhe në përvojat e njerëzve që e kanë përjetuar.

Youtube

Arkiva

Kategoritë