Mër, Gus 5, 2026
Banner Top
Banner Top
A ndikon në shëndetin e zemrës konsumimi i shpeshtë i produkteve ushqimore me vaj palme (vajra të ngopura)? Shpjegon kardiologu Batalli

Vaji i palmës vazhdon të jetë një nga përbërësit më të diskutuar në industrinë ushqimore për shkak të përdorimit në produkte të ndryshme të përpunuara dhe ndikimit që ky vaj mund të ketë në shëndetin e njeriut.

Diskutimi për përdorimin e këtij përbërësi në produkte të ndryshme ushqimore u rikthye në vëmendje, pasi të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë publikoi analizat pas kontrollit në sektorin e qumështit në Kosovë, njofton Telegrafi.

Drejtori ekzekutiv në AUV, Bekim Hoxha, ka bërë të ditur se në periudhën prill-korrik janë kryer kontrolle në depot operatorëve, në pikat kufitare, tek operatorët ekonomikë, etj, ku 495 mostra janë kontrolluar për përmbajtje të yndyrës, proteinave, pranisë së vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtesë, qumështit pluhur, etj.

Sipas tij, këto kontrolle kanë identifikuar një numër të madh mospërputhjes.

“Nga analizat laboratorike janë identifikuar disa mospërputhje. Nga gjithsej 93 mospërputhje, 46 raste kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajimit të palmës. Kjo përfaqëson pothuajse gjysmën e të gjitha mospërputhjeve të evidentuara gjatë aksionit dhe e bën vajin e palës çështjen më të shpeshtë të identifikuar”, tha ai shkruan Telegrafi.

Por, përtej asaj që ka të bëjë me sigurinë ushqimore, çështja kryesore që u intereson konsumatorëve është: çfarë ndikimi në organizëm mund të ketë konsumimi afatgjatë i produkteve që përmbajnë vaj palme?

Kardiologu Arlind Batalli në një intervistë për Telegrafin ka treguar lidhur me ndikimin e vajrave të ngopur (që është edhe vaji i palmës) në organizëm, saktësisht në shëndetin e zemrës.

Telegrafi: Si ndikon konsumimi i vajit të palmës (yndyrat e ngopura) në shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut?

Doktor Batalli: Vaji i palmës përmban një përqindje të lartë të yndyrave të ngopura, kryesisht acid palmitik. Kur këto yndyra konsumohen në sasi të mëdha dhe për një kohë të gjatë, mund të rrisin nivelin e kolesterolit LDL, i cili është një nga faktorët kryesorë në zhvillimin e aterosklerozës.

Ateroskleroza është procesi i grumbullimit të yndyrave dhe kolesterolit në muret e arterieve. Me kalimin e kohës, arteriet mund të ngushtohen dhe të rritet rreziku për infarkt të zemrës, goditje në tru dhe sëmundje të arterieve periferike.

Megjithatë, vaji i palmës nuk duhet trajtuar si “helm”. Ndikimi varet nga sasia, shpeshtësia e konsumimit, ushqimet e tjera që konsumohen dhe rreziku i përgjithshëm kardiovaskular i personit.

Telegrafi: Vaji i palmës përmban sasi të konsiderueshme të yndyrave të ngopura – sa ndikojnë këto yndyra në rritjen e kolesterolit të keq (LDL)?

Doktor Batalli: Një analizë e studimeve klinike ka treguar se konsumimi i vajit të palmës, krahasuar me vajrat bimore me përmbajtje të ulët të yndyrave të ngopura, e rriti LDL-në mesatarisht për rreth 0.24mmol/L. Efekti ndryshon nga një person te tjetri dhe varet nga sasia e konsumuar.

Telegrafi: A mund të rrisë konsumimi i shpeshtë i produkteve me vaj palme rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, si infarkti apo bllokimi i arterieve?

Doktor Batalli: Konsumimi i rregullt dhe i lartë mund të kontribuojë në rritjen e rrezikut per infakt dhe ngjarje tjera kardiovaskulare, kryesisht përmes rritjes së LDL-kolesterolit.

Përdorimi i rregullt i ushqimeve të përpunuara dhe ultra përpunuara favorizon një mjedis pro-inflamator. Por, nuk mund të thuhet se një produkt i vetëm apo një konsum i rastësishëm shkakton drejtpërdrejt infarkt.

Rreziku kardiovaskular ndërtohet gjatë viteve dhe varet nga kombinimi i shumë faktorëve si LDL-ja e lartë, hipertensioni, diabeti, pirja e duhanit, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik dhe predispozita familjare.

Duhet pasur parasysh gjithashtu se vaji i palmës gjendet shpesh në biskota, çokollata, kremra, ushqime të skuqura, produkte të gatshme dhe ushqime ultra të përpunuara. Problemi i këtyre produkteve nuk është vetëm vaji i palmës, por kombinimi i yndyrave të ngopura me sheqer, kripë, kalori të tepërta dhe mungesë fibrash.

Telegrafi: Si ndikon përdorimi afatgjatë i produkteve me vaj palme?

Doktor Batalli: Konsumimi i rrallë i një produkti që përmban vaj palme, në kuadër të një ushqyerjeje përgjithësisht të shëndetshme, zakonisht nuk përbën problem të madh.

Ndryshe është kur ushqimet me vaj palme konsumohen çdo ditë, disa herë gjatë ditës dhe për vite me radhë. Në këtë rast rritet sasia totale e yndyrave të ngopura dhe mund të ketë ndikim të matshëm në LDL, peshën trupore dhe rrezikun kardiometabolik.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që yndyrat e ngopura të përbëjnë më pak se 10% të energjisë ditore. Për personat që duhet ta ulin LDL-në, rekomandimi i Shoqatës Amerikane të Zemrës është edhe më strikt, më pak se 6% e kalorive ditore.

Pra, nuk është e nevojshme frika nga një konsum i rastësishëm. Problemi është përdorimi i shpeshtë dhe grumbullimi i shumë burimeve të yndyrave të ngopura gjatë ditës.

Telegrafi: Cilat kategori të njerëzve duhet të jenë më të kujdesshëm me konsumimin e produkteve që përmbajnë vaj palme?

Doktor Batalli: Kujdes më të madh duhet të kenë personat me LDL ose kolesterol total të lartë, me hiperkolesterolemi familjare, diabet, sëmundje kronike të veshkave, hipertension, mbipeshë ose obezitet.

Po ashtu, personat që kanë kaluar infarkt, kanë vendosur stent, kanë pësuar goditje në tru ose kanë sëmundje të dokumentuar të arterieve duhet ta kufizojnë në mënyrë të veçantë marrjen e yndyrave të ngopura.

Të kujdesshëm duhet të jenë edhe personat me histori familjare të infarktit në moshë të re ose me disa faktorë rreziku njëkohësisht. Udhëzimet evropiane vazhdojnë të rekomandojnë një model ushqimor me pak yndyra të ngopura, shumë perime, fruta, drithëra integrale dhe peshk.

Telegrafi: Nëse një person konsumon rregullisht ushqime me vaj palme, cilat analiza ose tregues shëndetësorë duhet t’i monitorojë?

Doktor Batalli: Analiza kryesore është profili lipidik: LDL kolesteroli, HDLc, Tregliceridet. Në persona të përzgjedhur, veçanërisht te ata me diabet, trigliceride të larta, obezitet ose rrezik të lartë kardiovaskular, mund të matet edhe apolipoproteina B – ApoB.

Duhet të monitorohen gjithashtu tensioni arterial, pesha trupore, perimetri i belit, glukoza në gjak dhe HbA1c. Nëse bëhet një ndryshim i rëndësishëm në ushqyerje, profili lipidik mund të rivlerësohet zakonisht pas rreth dy deri në tre muaj, në varësi të gjendjes dhe rekomandimit të mjekut.

Telegrafi: Për dallim nga vaji i palmës, cilat do të duhej të ishin alternativat tjera, ose cilat vajra do të ishin të mira për shëndet?

Doktor Batalli: Alternativa e parë është zakonisht vaji ekstra i virgjër i ullirit, veçanërisht në kuadër të ushqyerjes mesdhetare. Ai është i pasur me yndyra të pangopura dhe mund të përdoret në sallata, në përgatitjen e ushqimit dhe për gatim të zakonshëm.

Rëndësi ka që edhe vajrat e shëndetshëm të përdoren me masë, sepse të gjitha vajrat kanë shumë kalori.

Telegrafi: Në këtë rrjedhë, a mund të na tregoni në përgjithësi cilat ushqime duhet të largohen nga menyja në mënyrë që ta ruajmë shëndetin e zemrës, ndërkaq cilat ushqime rekomandohen?

Doktor Batalli: Duhet të kufizohen sa më shumë ushqimet e skuqura, fast-food-i, mishrat e përpunuar, sallamet, suxhuku, biskotat, dhe ushqimet qe potencialisht kanë vaj palme e që konsumohen çdo ditë nga fëmijët dhe të rinjtë.

Gjithashtu duhet kufizuar gjalpi, dhjami, mishrat me shumë yndyrë, produktet e qumështit me shumë yndyrë, pijet me sheqer, mielli i bardhë dhe kripa e tepërt.

Ndërkaq, duhet të konsumohen më shpesh perimet, pemët, bishtajoret, drithërat integrale, arrat dhe farat pa kripë, peshku, vaji i ullirit, produktet e qumështit me më pak yndyrë dhe burimet e proteinave të papërpunuara.

Udhëzimet e fundit për ushqyerje kardiovaskulare rekomandojnë gjithashtu zgjedhjen e ushqimeve minimalisht të përpunuara, kufizimin e sheqernave të shtuara dhe zëvendësimin e yndyrave të ngopura me yndyra të pangopura. /Telegrafi/

https://subscribe-forms.beehiiv.com/b57c2d2a-2b6c-443a-b532-03599fbbc30c

Youtube

Arkiva

Kategoritë