I ftuar në emisionin “Familja Jonë” këtë të diel ishte Dr. Artan Ahmeti, kardiolog, i cili foli për shëndetin e zemrës gjatë verës dhe rreziqet që mund të sjellin temperaturat e larta për pacientët me probleme kardiake.
Dr. Ahmeti shpjegoi se si reagon zemra ndaj vapës, çfarë tregon djersitja tek personat me sëmundje të zemrës dhe sa e rëndësishme është të ruhet ekuilibri i lëngjeve në organizëm. Ai tregoi pse pacientët me probleme të zemrës duhet të kenë kujdes me konsumimin e tepërt të ujit, si dhe cilat janë rreziqet e kalimit të menjëhershëm nga temperaturat e larta në ujë të ftohtë.
Gjatë bisedës u trajtuan edhe pyetje të shumta që shqetësojnë pacientët gjatë verës: a mund të shkojnë në det apo në bjeshkë personat me probleme të zemrës, çfarë duhet të kenë parasysh pas një ndërhyrjeje kardiake, cilat ushqime duhet të shmangen dhe cilat shenja nga trupi nuk duhet të injorohen.
Dr. Ahmeti foli gjithashtu për ndikimin e pijeve energjike, birrës në ditët e nxehta, aktivitetit fizik, kondicionerit, pagjumësisë dhe stresit në shëndetin e zemrës. Ai dha këshilla të rëndësishme edhe për mënyrën se si duhet të reagojmë kur një person pranë nesh përjeton një sulm në zemër.
Në fund, kardiologu sqaroi edhe dallimet mes grave dhe burrave sa i përket rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për një zemër të shëndetshme.













