Filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën botërore në SEMAINE DE LA CRITIQUE në Cannes.
Këtë e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës duke njoftuar se filmi është përzgjedhur në mesin e vetëm 7 filmave të gjatë të edicionit të sivjetmë të këtij programi prestigjioz.
“Kjo është hera e parë që një film kosovar përzgjedhet në SEMAINE DE LA CRITIQUE, një nga seksionet më prestigjioze dhe më kompetitive të festivalit, ku “DUA” do të garojë për katër çmime kryesore në kategorinë e filmave të gjatë.” ka treguar QKK-ja.

Tutje QKK-ja ka shpjeguar se Filmi “DUA” është një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores, filmi ndjek historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të ndërlikuar politike.
Producentë janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë).













