Me rastin e Ditës botërore e ndërgjegjësimit mbi Autizmin, Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë – ANAK, ka theksuar se fëmijët dhe personat në spektrin e autizmit në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida serioze në qasjen në shërbime cilësore në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale. Identifikimi dhe ndërhyrja e hershme mbeten të pamjaftueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.
Sipas kësaj organizate, familjet shpesh mbajnë barrën kryesore të kujdesit dhe kostove financiare, duke u përballur me shpenzime të larta dhe mungesë të mbështetjes së qëndrueshme. Në shumë raste, kjo situatë ndikon edhe në jetën profesionale dhe mirëqenien e përgjithshme të prindërve.
Po ashtu, është përmendur se përfshirja në arsim vazhdon të jetë sfiduese për shkak të mungesës së mbështetjes adekuate, përfshirë asistentët dhe stafin e specializuar.
“ANAK thekson se çdo fëmijë ka të drejtë për arsim gjithëpërfshirës, zhvillim të plotë dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri.” – ka rikujtuar kjo organizatë.
ANAK tutje u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë për të përmirësuar shërbimet, për të rritur mbështetjen për familjet dhe për të avancuar politikat dhe legjislacionin në këtë fushë.
“Vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë.” – ka përmbyllur ANAK.













