Një studim i ri ka zbuluar se menaxhimi i stresit tek prindërit mund të luajë rol të rëndësishëm në uljen e rrezikut të obezitetit tek fëmijët e vegjël.
Studiuesit theksojnë se kur prindërit ndihen të mbingarkuar, rutinat familjare priren të prishet, zgjedhjet ushqimore bëhen më pak të shëndetshme dhe sjelljet pozitive të prindërimit zvogëlohen.
Hulumtimi, i realizuar nga shkencëtarë të Universitetit Yale, tregoi se përqendrimi në reduktimin e stresit të prindërve së bashku me këshilla për ushqim të shëndetshëm mund të ndihmojë në parandalimin e obezitetit në fëmijërinë e hershme, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autores kryesore të studimit, Rajita Sinha, ishte e njohur më parë se stresi lidhet me obezitetin tek fëmijët, por befasues ishte fakti se përmirësimi i menaxhimit të stresit nga prindërit përmirësoi edhe mënyrën e tyre të prindërimit dhe uli rrezikun e obezitetit tek fëmijët.
Studimi përfshiu një provë 12-javore me 114 prindër nga prejardhje të ndryshme etnike dhe socioekonomike. Të gjithë prindërit ishin mbipeshë ose obezë dhe kishin fëmijë nga dy deri në pesë vjeç.
Ata u ndanë në dy grupe: njëri mori trajnim për menaxhimin e stresit përmes teknikave të ndërgjegjësimit dhe vetë-kontrollit, së bashku me këshilla për ushqim dhe aktivitet fizik, ndërsa grupi tjetër mori vetëm këshilla për dietë dhe aktivitet.
Rezultatet treguan se prindërit që morën trajnim për menaxhimin e stresit raportuan më pak stres dhe përmirësim në mënyrën e prindërimit. Fëmijët e tyre konsumuan më pak ushqime të pashëndetshme dhe nuk shtuan peshë gjatë studimit.
Ndërkohë, në grupin tjetër fëmijët kishin gjashtë herë më shumë gjasa të bëheshin mbipeshë.
Obeziteti tek fëmijët po rritet globalisht dhe pritet që deri në vitin 2040 numri i fëmijëve mbipeshë të arrijë në 228 milionë, duke e bërë këtë një sfidë serioze për shëndetin publik.













