Edhe pse është e vështirë për shkencëtarët të bien dakord mbi mënyrën më të mirë për të matur inteligjencën dhe është e vështirë të krahasohet inteligjenca nga një specie në tjetrën, në përgjithësi, inteligjenca mund të përkufizohet si aftësia për të mësuar dhe aplikuar njohuri; për të kuptuar situata të reja ose sfiduese dhe aftësia për të menduar në mënyrë abstrakte.
Sipas “Whale and Dolphin Conservation”, një organizatë globale bamirëse e dedikuar për mbrojtjen e balenave dhe delfinëve, thuhet se delfinët tregojnë qartë aftësinë për të bërë të gjitha këto gjëra dhe shumica e shkencëtarëve bien dakord se delfinët janë krijesa shumë inteligjente.
Delfinët kanë tru të madh. Krijesat me tru të madh, si njerëzit, çimpanzetë dhe delfinët, kanë disa tipare të përbashkëta. Ata zakonisht jetojnë gjatë. Formojnë komunitete të qëndrueshme. Tregojnë emocione komplekse si lumturia, trishtimi dhe zia. Mund të vlerësojnë situata dhe të zgjidhin probleme. Gjithashtu, pasardhësit e tyre varen plotësisht nga prindërit gjatë fëmijërisë.
Sipas “Whale and Dolphin Conservation”, truri i delfinëve është i madh dhe kompleks. Ata mësojnë shpejt, kanë sisteme të avancuara komunikimi dhe zhvillojnë rrjete sociale komplekse. Ata bëjnë plane së bashku dhe bashkëpunojnë për të gjuajtur, për t’u mbrojtur dhe për të rritur të vegjëlit e tyre.
Delfinët kanë ndjenja empatie, altruizmi dhe lidhjeje. Janë krijesa krijuese dhe lozonjare, duket se gëzojnë lojën dhe kërkojnë shoqërinë e të tjerëve. Ata punojnë së bashku për të ndihmuar shokët e grupit të lënduar ose të sëmurë.
“Delfinët janë një nga pak speciet që kalojnë ‘testin e pasqyrës’. Ata njohin reflektimin e tyre në pasqyrë; e shqyrtojnë veten dhe shikojnë pjesë të trupit që zakonisht nuk mund t’i shohin, si dhe bëjnë lëvizje dhe i analizojnë ato. Këto sjellje tregojnë vetëdije dhe janë dëshmi e një specieje shumë inteligjente.” – shpjegon “Whale and Dolphin Conservation”.











