Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë i Universitetit të Prishtinës ka fituar grantin prej 500 mijë eurove nga Fondi Rajonal i Sfidave, me të cilin do të financohet ndërtimi i një qumështoreje didaktike, që në të ardhmen do t’u ndihmojë shumë studentëve gjatë lidhjes së mësimeve teorike me praktikën.
Siç ka njoftuar Universiteti i Prishtinës, në qumështoren didaktike që do të ndërtohet, planifikohet përpunimi i produkteve të qumështit.
“Ky investim përbën një hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës akademike dhe profesionale të Universitetit, duke krijuar kushte moderne për zhvillimin e ushtrimeve praktike në fushën e teknologjisë ushqimore, mjekësisë veterinare dhe drejtimeve tjera në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.” thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, qumështorja didaktike do t’u mundësojë studentëve ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikën reale, duke rritur ndjeshëm kompetencat e tyre profesionale dhe gatishmërinë për tregun e punës.
“Po ashtu, projekti pritet të forcojë bashkëpunimin me sektorin agroushqimor dhe industrinë e përpunimit të qumështit, duke krijuar hapësirë për partneritete të reja, praktika profesionale, transfer të njohurive dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta në të ardhmen.” ka shtuar UP-ja.













