Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Shkolla Finlandeze organizoi një aktivitet në të cilin nxënësit e saj krijuan një mur përkujtimor me emrat e të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Duke kujtuar mbi 1,600 persona që ende janë të zhdukur, ne ndalemi përtej shifrave dhe përballemi me historitë, familjet dhe ëndrrat e ndërprera.” ka shkruar Shkolla Finlandeze.


Në po këtë njoftim theksohet se pavarësia nuk paraqitet vetëm si një datë e shënuar në kalendar, por si rezultat i sakrificës së mijëra grave dhe burrave që dhanë jetën për liri. Ajo përshkruhet si fryt i një rrugëtimi të gjatë historik, i përpjekjeve dhe i qëndresës së vazhdueshme për çlirim.
Në njoftim gjithashtu vihet në pah se pavarësia e Kosovës është një arritje e përbashkët e atyre që kontribuuan dhe sakrifikuan për të drejtën e vendit për të jetuar i lirë dhe i pavarur.
Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008.
Republika e Kosovës nesër feston 18-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.















