Në kuadër të përkushtimit për ofrimin e shërbimeve cilësore dermatologjike, Spitali i Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka shënuar një angazhim të lartë në trajtimin dhe diagnostikimin e patologjive të lëkurës.
Me profesionalizëm, mikpritje dhe përkujdesje të vazhdueshme, stafi i mjekëve dhe infermierëve në ambulancën specialistike ka mirëpritur dhe trajtuar gjithsej 7,218 pacientë, duke dëshmuar besimin e qytetarëve në shërbimet e ofruara.
Për të garantuar diagnoza të sakta dhe trajtime efikase, është aplikuar procedura e ekzaminimit me mikroskop, ku janë realizuar 831 ekzaminime mikroskopike. Kjo metodë ka mundësuar analizimin e detajeve më të imta, duke siguruar trajtim sa më të plotë dhe të personalizuar për pacientët.
Po ashtu, janë kryer 870 ekzaminime me dermatoskop, një mjet thelbësor për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të patologjive të lëkurës, duke rritur ndjeshëm mundësinë e trajtimit në faza të hershme.
Pacientët që kanë nevojë për shërbime dhe konsulta dermatologjike mund të paraqiten çdo ditë pune, nga e hëna deri të premten, në ambulancën specialistike të spitalit.












